LAJMI I FUNDIT:

Njeriu pas dyerve të hapura – njihuni me Gertonin e Vatrës

Njeriu pas dyerve të hapura – njihuni me Gertonin e Vatrës

IF YOU WANT TO READ THIS INTERVIEW IN ENGLISH EDITION, PLEASE CLICK HERE.

Ky 9 maj e gjeti Tiranën zyrtare në të njëjtën linjë me organizatën në të cilën aspiron të bëhet pjesë për gati dy dekada. Dita e Europës u kremtua edhe në Tiranë, në dyert e Parlamentit shqiptar. Ajo që shumëkush e kishte menduar si një ceremoni “standarde”, për shumë prej nesh rezultoi në një surprizë tejet të këndshme dhe që krijoi hapësirë për reflektim. Ndoshta, këtë vit, Dita e Europës u festua në Tiranë me më shumë origjinalitet se në çdo vend tjetër të BE.

Të ftuarit, ambasadorët e vendeve të BE, politikanë shqiptarë të kalibrit të lartë dhe përfaqësuesit e mediave ishin njoftuar se më 9 maj në oborrin e parlamentit do të zhvillohej një mini-koncert, ndërsa në sallë i priste një seancë në nder të Bashkimit Europian. Përpos këtyre organizimeve, për habinë e të gjithëve Ministria e Integrimit në bashkëpunim me Vatra Agency kishin montuar në hyrjen e parlamentit një instalacion tejet domethënës. 27 dyer të përmasave reale, të cilat ishin vendosur në rradhë përgjatë tapetit të kuq. Secila prej tyre ishte e hapur dhe i dedikohej një prej vendeve antare të BE. Në mënyrë që të ftuarit të bëheshin pjesë e eventit, ata duhet të kalonin matanë 27 dyerve. Ishte diçka tejet argëtuese të shikoje reagimin e ambasadorëve të BE, habinë dhe pëlqimin e tyre për këtë ide origjinale. Nga ana tjetër secili prej tyre reflektonte qartë se sapo kishte marrë një mesazh mbi rëndësinë e dyerve të hapura. “Mos është ky momenti për të hapur një derë edhe për Shqipërinë. Derën e anëtarit të 28-të të Bashkimit Europian.”


Siç u theksua dhe më sipër, pas kësaj ideje gjeniale ishte Vatra Agency. Një nga agjencitë e dizajnit dhe të komunikimit më me eksperiencë në Tiranë, të cilën Ministria e Integrimit e kishte ngarkuar pikërisht me detyrën për të përcjellë një mesazh të fortë dhe kreativ. Vatra përbëhet nga një ekip profesionistësh të specializuar në marketing, dizajn, marrëdhënie me publikun dhe në evente promocionale. Personazhin që ka përzgjedhur personalisht çdo element të formulës fituese të Vatra Agency, të gjithë e njohin si “Gerti i Vatrës”. Pavarësisht se është tejet i ri në moshë, Gerton Bejo cilësohet si një veteran në fushën e dizajnit dhe të marketingut në Shqipëri. Gertoni ka studiuar për Design and Communication në Mbretërinë e Bashkuar, por ndryshe nga shumë moshatarë të tij, pas studimeve ai vendosi të kthehej në vendlindje. Tirana e para 14 viteve nuk ishte aq mendjehapur për të mirëpritur krahëhapur krijimin e një agjencie dizajni dhe komunikimi. Tregu ishte gati i gjithi informal, ndërsa shkencat e komunikimit çoheshin para nga individë me formim të stilit sovjetik. Gertoni vendosi t’i shkonte deri në fund, duke themeluar Vatra Agency, një nga agjencitë e para të mirëfillta në Shqipëri.

Në këto 14 vite agjencia e Gertonit është kthyer gati-gati në një akademi dizajni, marketingu dhe kreativiteti. Janë me dhjetra të rinjtë që në zyrat e Vatra formohen profesionalisht duke u kthyer në individë dinamikë dhe tejet konkurrues në tregun e punës. Ndryshe nga institucionet e edukimit, te Vatra këta profesionistë të rinj ecin me hapat dhe kërkesat e kohës. Ndoshta, kjo ndodh edhe për faktin se Gertoni është një nga personazhet më aktivë në vend mbi çeshtje që kanë të bëjnë me komunikimin dhe marketingun. Ai është tejet aktiv në media me shkrime, analiza dhe opinione të cilat diskutojnë apo japin perspektiva të reja mbi çështje jetike të industrisë vendase e të huaj. Kjo karakterisitkë e tij, e bën Gertonin jo vetëm një drejtues agjencie unik por edhe një studiues komunikimi të mirëfilltë. Vatra e Gertonit, në këto 14 vjet aktivitet ka ideuar fushata marketingu dhe ka ri-branduar marka që në Shqipëri cilësohen si legjendare. Një pjesë e këtyre bashkëpunimeve, i përkasin kompanive në tregjet më të gjëra në Ballkan, në Kosovë, Maqedoni, apo Serbi.

Me siguri, Europe Day i këtij viti pati tepër impakt për faktin se pas tij fshiheshin mendjet brilante të Gertonit dhe të ekipit të tij.

9 maji është një ditë e rëndësishme në kalendarin europian. Në të gjitha shtetet anëtare të BE dhe në vendet e tyre aleate kremtohet Dita e Europës. Kjo datë shënon nisjen e procesit të integrimit politik dhe ekonomik të BE. Më 9 maj 1950, politikani francez Robert Schuman propozoi krijimin e një bërthame ekonomike europiane, si hapi i parë drejt një Europe federale.