Njëri me plis, tjetri me gajde në ditën e zgjedhje - qytetarët sot dalin për të votuar

Në ditën e zgjedhjeve lokale në Kosovë, përveç pjesëmarrjes qytetare në votim, vëmendje të veçantë morën disa qytetarë të cilët u paraqitën në mënyra të veçanta, duke shfaqur patriotizëm përmes veshjeve kombëtare dhe mjeteve muzikore tradicionale.
Në komunën e Malishevës, Dërgut Mazreku, ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga lagjja e Gurit u drejtua për të votuar i veshur me kostumin kombëtar shqiptar, i shoqëruar edhe nga familjarët e tij.

Ai në një deklaratë në Tv Dukagjini tha se zakonisht këtë veshje e mban në festa të rëndësishme si 28 Nëntori apo 17 Shkurti, por sot e veshi me krenari për të nderuar ditën e votimit.
“Këtë veshje më shumë e veshi më 28 Nëntor dhe 17 Shkurt në ditën e Pavarësisë së Kosovës. Sot gjithë ditën shëtita dhe piva kafe, pasi e konsideroj si një ditë feste. Mendoj për një qeveri më të mirë dhe për një kryetar më të mirë. Drejt për drejt, sa i përket qeverisë, deri tash askush s’ka bërë asgjë për Kosovën… por kryetari i ardhshëm e ka fituar votën në Malishevë për punën që ka bërë. Besoj që do të vazhdojë ta bëjë edhe më mirë”, tha ai.
Ai gjithashtu shprehu mbështetjen për ish-udhëheqësit e UÇK-së që aktualisht ndodhen në Hagë:
“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi janë padrejtësisht atje. Ata s’kanë bërë asgjë të keqe, vetëm mirë për Kosovën”, tha Mazreku.
Ndërkohë, në Ferizaj, Murat Loku u shfaq me një tjetër simbolikë të veçantë – një gajde tradicionale.

Ai i binte këtij instrumenti frymor, duke sjellë atmosferë festive në ditën e zgjedhjeve.
“Sot kemi festë. Që nga vitet ’75, kur isha në shkollën e mesme në Kaçanik, një shok ma kishte sjellë një gajde. Më tha ‘po ta bi një gajde, bima një gajde me arra’, dhe që nga ajo kohë unë i bie këtij instrumenti me dashuri”, rrëfen ai. /Telegrafi/

















































