LAJMI I FUNDIT:

Një vit nga Marrëveshja e Washingtonit për normalizim ekonomik – bizneset kërkojnë që politika t’i përmbush zotimet e mbetura

Një vit nga Marrëveshja e Washingtonit për normalizim ekonomik – bizneset kërkojnë që politika t’i përmbush zotimet e mbetura

Me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më 4 shtator të vitit të kaluar, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar dokumentin për normalizim ekonomik, e njohur si Marrëveshja e Washingtonit.

Deri më tani, nga kjo Marrëveshje janë zbatuar vetëm disa nga pikat, ndërsa përfaqësues të komunitetit të biznesit kërkojnë që politika t’i përmbush zotimet e mbetura.

Marrëveshja që përmban 16 pika është nënshkruar në Shtëpi të Bardhë në prani të ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump.


Menjëherë pas nënshkrimit të këtij dokumenti, ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti kishte thënë se kjo Marrëveshje është një hap drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve në mes dy vendeve.

“Ky është një lajm i jashtëzakonshëm për Kosovën. Sot, në Shtëpinë e Bardhë, nënshkruam një marrëveshje që është hap i madh drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Synimi ynë është arritja e njohjes reciproke dhe marrëveshja e sotme me karakter ekonomik, është një hap shumë i rëndësishëm drejt arritjes së njohjes reciproke”, ishte shprehur Hoti, shkruan Telegrafi.

Hoti: Marrëveshja e sotme është hap i madh drejt arritjes së qëllimit për njohje reciproke me Serbinë
Lexo po ashtu Hoti: Marrëveshja e sotme është hap i madh drejt arritjes së qëllimit për njohje reciproke me Serbinë

Jo më shumë se tre javë pas takimit në Shtëpi të Bardhë, Kosova kishte nënshkruar dokumentin me Korporatën Financiare amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (DFC) që parasheh ofrimin e qasjes në një gamë të gjerë për investime.

“Marrëveshja e re Kosovë-SHBA për Nxitjen e Investimeve pritet që të ofrojë qasje në gamën e plotë të përkrahjes në investime, ofruar nga Korporata Financiare amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, ashtu si edhe të përcaktojë veprimet lidhur me mbështetjen e Korporatës për projektet në Kosovë dhe trajtimin prej Kosovës të tyre”, thuhet në dokument.

Po ashtu, në këtë dokument tregohet se, të dyja shtetet pritet t’i identifikojnë projektet që fuqizojnë më tej integrimin ekonomik dhe zhvillimin në rajon.

“Kosova dhe SHBA-ja synojnë të zbatojnë me besnikëri Marrëveshjen e re Kosovë-SHBA për Nxitjen e Investimeve. Duke e zbatuar besnikërisht këtë Marrëveshje, të dyja shtetet pritet t’i identifikojnë projektet që fuqizojnë më tej integrimin ekonomik dhe zhvillimin në rajon”, përfundon deklarata.

Deklarata e përbashkët ekonomike ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti lidhur me këtë Marrëveshje, ka thënë se nuk do ta “injorojë” në tërësi, por se sipas tij, disa pika të saj janë problematike.

“Unë nuk kam thënë se ajo që është nënshkruar në Washington, unë thjesht do ta hedh – jo asnjëherë. Pika e fundit, e cila ishte njohja e Izraelit për Kosovën është zbatuar dhe kjo është pjesa më e vlefshme e Marrëveshjes”, ka thënë Kurti.

“Ne nuk duam ta mohojmë atë në parim, por në të njëjtën kohë duhet të jemi të kujdesshëm, sepse ka edhe disa pika që janë problematike për Kushtetutën tonë që janë nënshkruar si një zotim nga kryeministri i mëparshëm. Vetëm të përmendim faktin që ne nuk do të lobojmë dhe angazhohemi për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Kjo shkon në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”, ka shtuar ai.

Kurti: Marrëveshjen e Washingtonit nuk do ta ‘hedhim të tërën’ – por aty ka disa pika problematike
Lexo po ashtu Kurti: Marrëveshjen e Washingtonit nuk do ta ‘hedhim të tërën’ – por aty ka disa pika problematike

Ish-Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Hoti, në muajin tetor të vitit të kaluar kishte miratuar planin 16-pikësh për zbatimin e kësaj Marrëveshje, që parashikon zhvillimin e disa projekteve, duke përfshirë ndërtimin e “Autostradës së Paqes”, rrjeti 5G dhe studimi i fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit.

Pika e parë dhe e dytë e planit është zbatimi i marrëveshjeve për autostradën dhe hekurudhat Prishtinë – Beograd të nënshkruara më 14 shkurt.

Në pikën e tretë është ndërtimi i “Autostradës së Paqes”, lidhja hekurudhore midis Prishtinës dhe Merdarës dhe asaj midis Prishtinës dhe Nishit, sigurimi i financimit për të mbështetur kreditë e kërkuara për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, projekte bilaterale shtesë dhe prania ndërkombëtare e DFC-së me kohë të plotë në Serbi.

Pika e shtatë e këtij plani është që të dy palët do të punojnë me Departamentin e Energjisë në SHBA dhe njësi të tjera të Qeverisë së SHBA-ve në një studim të fizibilitetit për qëllimet e shfrytëzimit të përbashkët të Liqenit Ujmanit, si burim i mundshëm i ujit dhe energjisë.

Në pikën e tetë të planit thuhet se, Kosova dhe Serbia do të diversifikojnë furnizimet e energjisë elektrike. Kurse, pika e nëntë është ndalimi i përdorimit të pajisjeve 5G të furnizuar nga ofrues të dyshimtë në rrjetet e tyre të komunikimit.

'Autostrada e Paqes', rrjeti 5G dhe studimi për Ujmanin - plani i Qeverisë së Kosovës për zbatimin e pikave ekonomike të marrëveshjes së Washingtonit
Lexo po ashtu 'Autostrada e Paqes', rrjeti 5G dhe studimi për Ujmanin - plani i Qeverisë së Kosovës për zbatimin e pikave ekonomike të marrëveshjes së Washingtonit

Në muajin tetor të vitit të kaluar, Kosova ka filluar zbatimin e pikës që ka të bëjë me rrjetin 5G dhe përdorimin e pajisjeve të teknologjisë nga shitës të sigurt.

“Kosova do të ndalojë përdorimin e pajisjeve 5G, të siguruara nga shitës të pabesueshëm, në rrjetet e tyre të komunikimit. Aty ku mund të ketë pajisje të tilla, institucionet përkatëse të vendit do të angazhohen për heqjen e tyre”, thuhej në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Pas nisjes së zbatimit, ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett ka përgëzuar Kosovën, që siç ka thënë, është siguruar se rrjetet e saj të gjeneratës së pestë të komunikimeve, janë në rrugë të pastër nga ofrues që nuk u besohet dhe në linjë me Marrëveshjen.

“Ne e përgëzojmë Kosovën për sigurimin që rrjetet e saj 5G janë në një rrugë të pastër, jo nga shitës të pabesueshëm, në përputhje me Marrëveshjet e Uashingtonit. Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku drejt integrimit të sigurt të komunikimit rajonal dhe zgjerimit të ekonomisë dixhitale të Kosovës”, kishte thënë Kosnett përmes një shkrimi në Twitter, përcjell Telegrafi.

Në Kosovë teknologjia 5G nuk është ende në dispozicion për përdoruesit e telefonave të mençur dhe as nuk janë kryer procedurat për lëshimin e licencave për përdorimin e radio-frekuencave të nevojshme.

Kosova fillon zbatimin e marrëveshjes së Washingtonit për rrjetin 5G
Lexo po ashtu Kosova fillon zbatimin e marrëveshjes së Washingtonit për rrjetin 5G

Gjatë muajit qershor 2021, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës njofton se i ka dorëzuar Qeverisë së Kosovës raportin e studimit të fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit.

“Ambasada e SHBA-së në Kosovë dhe Ambasada e SHBA-së në Beogradit [sot] i kanë dorëzuar Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë raportin për Liqenin e Ujmanit, kështu duke përmbushur një nga zotimet Marrëveshjes së Washingtonit të 4 shtatorit”, thuhej në njoftimin e Ambasadës, përcjell Telegrafi.

Raporti propozon formimin e një komisioni për lumin Ibër që do të ndihmonte diskutimin midis palëve për mundësitë e menaxhimit të burimeve ujore.

“Në propozojmë që Kosova dhe Serbia të marrin në konsideratë aranzhimet teknike nga traktati ndërmjet SHBA-së dhe Kanadasë për lumin Kolumbia në lidhje me furnizimin me ujë, të agjencive të energjisë dhe kontrollimit të përmbytjeve duke modeluar nevojat institucionale për të mbështetur një komision të tillë edhe për lumin Ibër”, thuhet në dokument.

SHBA: Çështja e Liqenit të Ujmanit të rregullohet sipas traktatit të lumit Kolumbia
Lexo po ashtu SHBA: Çështja e Liqenit të Ujmanit të rregullohet sipas traktatit të lumit Kolumbia

Kurse, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu gjatë një konference për medie ka thënë se, Kosova ka hyrë në obligime për ndërtimin e rrugës Besi – Merdarë, pjesë e “Autostradës së Paqes”, pritet të nis së ndërtuari në pranverën e vitit të ardhshëm.

“Sa i përket ‘Autostradës së Paqes’, Kosova ka hyrë në obligime për ta realizuar rrugën Besi – Merdarë. Natyrisht që ky proces për shkaqe financiare mund të zvarritet, por është proces që do të përfundojë. Nga ana tjetër i njëjti projekt nënkupton që duhet të realizohet nga pala tjetër [Serbia] e që deri më tani nuk ka pasur fare asnjë. Nuk mund të themi me siguri të madhe, por mendoj që pranvera – do të kemi mundësi të mira për fillimin e asaj autostrade”, ka theksuar Aliu.

Aliu: Në pranverë nis ndërtimi i 'Autostradës së Paqes'
Lexo po ashtu Aliu: Në pranverë nis ndërtimi i 'Autostradës së Paqes'

Lidhur më zbatimin e kësaj Marrëveshje, përfaqësues të biznesit në Kosovë kanë kërkuar nga politika që të vazhdoj t’i përmbush pikat e mbetura.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka në një përgjigje për Telegrafin ka thënë se, Marrëveshja konfirmon zotimin e shteteve nënshkruese për përmirësim të bashkëpunimit ekonomik.

“Marrëveshja për normalizim ekonomik e nënshkruar nga Kosova dhe Serbia nën ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës konfirmon zotimin e shteteve për përmirësim të bashkëpunimit ekonomik, integrim ekonomik rajonal, por edhe avancim të infrastrukturës transportuese. Ajo në të njëjtën kohë përfshin edhe zotimin e institucioneve financiare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për financim të disa prej projekteve”, tha Zeka.

Ai shton se ka pasur thirrje karshi palëve për t’i përmbushur zotimet e marra nga kjo marrëveshje.

“Është e vërtetë që ka ngecje në zbatim të disa pikave të marrëveshjes, edhe pse ka disa zotime që tashmë janë përmbushur, por besoj fuqishëm që në periudhën në vijim do të ketë një angazhim më serioz të qeverive të të dyja shteteve për përmbushje të të gjitha zotimeve që shtetet kanë ndërmarrë me nënshkrimin e Marrëveshjes së Washingtonit, aq më tepër që ka pasur edhe thirrje të përfaqësuesve të Administratës amerikane drejtuar palëve për përmbushje të zotimeve të tyre”, shton ai.

Rukiqi: Kosova qëndron keq me imazhin e investimeve, Qeveria duhet të ofrojë përkrahje për rritjen e potencialit të eksporteve
Lexo po ashtu Rukiqi: Kosova qëndron keq me imazhin e investimeve, Qeveria duhet të ofrojë përkrahje për rritjen e potencialit të eksporteve

Ndërsa, për kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi zbatimi i projekteve të parapara në Marrëveshje janë të dobishme për vendin dhe rajonin.

“Deri tani ka një ngecje në ato zotime të Marrëveshjes së Washingtonit. Po shpresojmë që së paku larg asaj që është politike ose çështje të caktuar të rëndësisë politike që t’i kemi këto projekte, të cilat do të ishin të dobishme edhe për vendin dhe për rajonin”, është shprehur Rukiqi gjatë një interviste për Telegrafin.

Më 31 dhjetor 2020, ish-kryeministri Hoti dhe ambasadori Kosnett kishin nënshkruar Marrëveshjen për Nxitjen e Investimeve (IIA) që ia mundëson DFC-së për të sjellë gamën e prodhimeve financiare në Kosovë, ku përfshihet financimi i borxhit, investimeve në ekuitet, sigurimi i riskut politik dhe grantet për ndihmë teknike. /Telegrafi/