U mbajt trajnimi për themeluesit e startup-eve nga Keiretsu Forum Southeast Europe në Prishtinë

Në një atmosferë pune dhe bashkëpunimi në ambientet e Innovation Centre Kosovo, u mbajt trajnimi për themeluesit e startup-eve nga Keiretsu Forum Southeast Europe (KFSEE), këtë herë i fokusuar te ndërtimi i prezantimeve (pitch) përpara investitorëve nga startup-e në fazë të hershme. Përgjatë dy ditëve, themelues nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut patën mundësinë të zhvillojnë më tej mënyrën se si paraqesin idetë dhe vizionin e tyre përballë investitorëve potencialë.
Trajnimi u udhëhoq nga Jamie Reynolds, trajner me përvojë shumëvjeçare me startup-e në të gjithë botën, si dhe me drejtues të kompanive si Google dhe Microsoft. Ai solli në Prishtinë një qasje praktike, dinamike dhe të përqendruar te thelbi i komunikimit.
Në fjalën hyrëse, Jamie theksoi rëndësinë e qartësisë dhe besimit në komunikim: “Prezantimi yt nuk është për produktin. Është për bindjen që ke ndaj tij. Investitorët kërkojnë qartësi, siguri dhe energji, këto janë tri elementët që duhet të sjellësh në çdo prezantim.”
Pjesa e parë e trajnimit u fokusua në ndërtimin e prezantimeve në kohën prej 30 sekondash, 60 sekondash dhe 3 minutash.
Themeluesit punuan në grupe dhe patën mundësinë të testonin qasjet e tyre, të eksperimentonin me strukturën e rrëfimit dhe të merrnin komente konkrete jo vetëm nga trajneri, por edhe nga njëri-tjetri.
Ekrem Tahiri, themelues i Vetalgo, ndau një reflektim personal gjatë sesionit: “Kur flet me zë të lartë për idenë tënde, kupton se sa e ndërlikuar është të thuash saktësisht pse po e bën. Dhe kur të pyesin ‘Pse tani? Pse ti?’, fillon të gërmosh më thellë dhe gjen thelbin.”
Gjatë ditës së dytë, fokusi kaloi tek puna individuale me çdo ekip.
Nëpërmjet seancave “one-on-one”, themeluesit morën feedback të personalizuar për strukturën e prezantimit, rrjedhën e rrëfimit dhe stilin e komunikimit.
Shumë prej tyre zgjodhën të ridizajnonin komplet mënyrën se si flasin për produktin e tyre duke hequr fjalët e tepërta, duke sqaruar mesazhin dhe duke vendosur më shumë fokus tek ajo që ka realisht rëndësi.
Në përmbyllje të trajnimit, energjia në sallë ishte e ndjeshme.
Themeluesit nuk po përgatiteshin thjesht për një prezantim formal, ata po përgatiteshin për të folur me vetëbesim për punën e tyre, përballë kujtdo.
Shumë prej pjesëmarrësve qëndruan më gjatë për të shkëmbyer ide, për të diskutuar planet e ardhshme dhe për të ndërtuar lidhje me njëri-tjetrin.
Ky trajnim u realizua falë mbështetjes së Programit Zviceran për Ndërmarrësi (Swiss EP), Fondit për Ballkanin Perëndimor (WBF) dhe Bashkimit Evropian.
Kjo nismë vjen si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të ndihmuar zhvillimin e një ekosistemi startup-esh të qëndrueshëm, të bashkëpunueshëm dhe më të gatshëm për investime në të gjithë rajonin e Evropës Juglindore. /Telegrafi/










































