Një rrugëtim për mbijetesë në Amerikën e mundësive – Teatri i Qytetit të Gjilanit sjell premierën “God Bless America”

Pas një pune të gjatë kreative, Teatri i Qytetit të Gjilanit do të prezantojë sonte premierën më të re në repertor – shfaqjen “God Bless America”, me autor dhe regjisor Fatos Berishën.
Premiera do të jepet më 9 dhe 10 prill dhe sjell në skenë një histori unike e me thellësi shoqërore.
Shfaqja rrëfen historinë e katër miqve, të cilët të shtyrë nga dëshira për mirëqenie familjare, përfshihen në shitjen e Biblave dhe materialeve të tjera religjioze në të gjithë Amerikën. Të trajnuar nga një specialist marketingu dhe të udhëzuar nga kisha, ata udhëtojnë nga shteti në shtet për të siguruar një jetë më të mirë.
Në përpjekje për të arritur qëllimin e tyre, ata nuk ngurrojnë të përdorin metoda të ndryshme për të bindur njerëzit të blejnë produktet e tyre. Ata trokasin në çdo derë, hyjnë në çdo shtëpi, dhe takojnë individë nga shtresat më të ndryshme të shoqërisë amerikane – duke përjetuar sfidat, kontrastet dhe absurditetin e një “xhungle moderne” të mbijetesës.
“God Bless America” është një udhëtim i pazakontë nëpër vendin e mundësive, ku katër personazhet shtiren si “engjëj” në publik, por shfaqin anën e tyre më të egër pas dyerve të mbyllura – nëpër hotele e dhoma private. /Telegrafi/

















































