Një qytetar nga Shtimja gjen para dhe i dorëzon në polici

Një veprim shembullor qytetar është shënuar pasditen e 4 janarit 2026 në Shtime, ku një qytetar ka dorëzuar në polici një portofol të humbur që përmbante dokumente personale dhe para.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, rreth orës 17:00 në stacionin policor është paraqitur qytetari A. Rama, i cili ka raportuar se kishte gjetur një portofol të humbur në oborrin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Shtime.
Në prani të zyrtarëve policorë është bërë kontrollimi i portofolit, ku janë gjetur një patentë shoferi, një letërnjoftim, një kartelë bankare, si dhe para në vlerë prej 90.65 euro.
Pas verifikimeve të nevojshme, policia ka identifikuar pronarin e portofolit, H. D., i cili është njoftuar dhe është paraqitur në stacionin policor për ta marrë portofolin e tij.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka falënderuar qytetarin A. Rama për veprimin e tij shembullor, ndershmërinë dhe bashkëpunimin me Policinë e Kosovës, duke e vlerësuar këtë rast si një shembull pozitiv të qytetarisë dhe përgjegjësisë shoqërore. /Telegrafi/


































