Si pasojë e një vetaksidenti me motor në autostradën “Arbën Xhaferi”, ka ndërruar jetë i riu ga Vitia.

Edhe pse autoritetet nuk kanë konfirmuar zyrtarisht identitetin e viktimës, kryetari i Vitisë, Sokol Halili, ka njoftuar se bëhet fjalë për të riun, Ideal Halabaku, 26-vjeçar nga Pozherani i Vitisë.


“Me dhimbje të thellë pranova lajmin për vdekjen tragjike të të riut Ideal Halabaku, i cili u nda nga jeta në mënyrë të parakohshme dhe të dhimbshme, duke lënë pas pikëllim të madh tek familja, miqtë dhe te e gjithë shoqëria jonë,” ka deklaruar Halili.

Në emër të tij personal dhe të Komunës së Vitisë, Halili ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Halabaku dhe të gjithë ata që e njohën Idealin, duke e cilësuar atë si një djalë shembullor, të dashur dhe plot jetë.

“Humbja e një jete të re është gjithmonë e rëndë, por kujtimi për Idealin do të mbetet i gjallë tek të gjithë ata që e njohën. Në këto momente të rënda, jemi pranë familjes Halabaku me zemër dhe mendje, duke ndarë me ta dhimbjen e madhe. I përjetshëm qoftë kujtimi i Idealit. Prehu në paqe,” thuhet në reagimin e kryetarit.

Policia ende nuk ka dhënë detaje zyrtare lidhur me rrethanat e gjetjes së trupit apo shkaqet e mundshme të vdekjes.