LAJMI I FUNDIT:

Një përqasje normative për parandalimin e luftës kibernetike

Një përqasje normative për parandalimin e luftës kibernetike

Një numër episodesh gjatë viteve të fundit – përfshirë ndërhyrjen kibernetike të Rusisë për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016 në SHBA në favor të Donald Trumpit, sulmet kibernetike anonime që dëmtuan sistemin elektroenergjetik të Ukrainës më 2015 dhe virusi “Stuxnet”, i cili shkatërroi mijëra centrifuga të Iranit – kanë ushqyer shqetësime në rritje mbi konfliktin në hapësirën kibernetike. Në Konferencën e Sigurisë në Mynih muajin e kaluar, Ministri i Jashtëm i Holandës Bert Koenders njoftoi krijimin e një organizate të re jo-qeveritare Komisioni Global për Stabilitetin e Hapësirës Kibernetike, për të plotësuar Grupin e OKB-së të Ekspertëve të Qeverive (GGE).

Raportet e këtij të fundit më 2010, 2013 dhe 2015 kanë ndihmuar për të hartuar një agjendë bisedimesh për sigurinë kibernetike dhe më i fundit identifikoi një numër normash që janë pranuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Por, pavarësisht këtij suksesi fillestar, GGE ka kufizimet e veta. Pjesëmarrësit janë teknikisht këshilltarë pranë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe jo negociatorë kombëtarë me fuqi të plota. Megjithëse numri i pjesëmarrësve është rritur nga 15 në fillim në 25, shumica e vendeve nuk janë të përfaqësuar.


Por, ka edhe një pyetje më të madhe mbi GGE-në: a mundet që normat me të vërtetë të kufizojnë sjelljen e shteteve?

Shumica e ekspertëve janë dakord se një traktat global për hapësirën kibernetike mund të jetë politikisht i pamundur, (megjithëse Rusia dhe Kina kanë bërë propozime të tilla në OKB). Por, përtej traktateve formale, kufizimet normative mbi shtetet përfshijnë njëkohësisht edhe kode sjelljeje, praktika konvencionale shtetërore dhe pritshmëri të përgjithshme për atë që çfarë përbën sjellje normale brenda një grupi (i cili krijon një ligj të përbashkët). Në realitet, këto kufizime mund të variojnë nga ato që vlejnë në shkallë globale te niveli shumëpalësh apo dypalësh. Pra çfarë mund të na thotë historia për efikasitetin e instrumenteve normative të politikave?

Në dekadën pas Hiroshimës, armët bërthamore taktike shikoheshin gjerësisht si armë “normale” dhe ushtria e SHBA-ve bëri pjesë të vetën një artileri bërthamore, mina toke atomike dhe armë atomike anti-ajrore. Më 1954 dhe 1955, Kryetari i Shefit të Shtabeve i tha Presidentit Dwight Eisenhoëer se mbrojtja e Bien Bien Phu në Vietnam dhe të ishujve pranë Tajvanit mund të kërkonte përdorimin e armëve bërthamore (Eisenhoëer e hodhi poshtë këtë këshillë).

Me kalimin e kohës zhvillimi i normave joformale për mos-përdorimin e armëve bërthamore e ndryshoi këtë. Ekonomisti nobelist Thomas Schelling argumentoi se zhvillimi i normës së mospërdorimit të armëve bërthamore qe një nga aspektet më të rëndësishme të kontrollit të armatimeve përgjatë 70 viteve të fundit dhe kjo ka pasur efekt pengues për vendimmarrësit. Por, sa i përket shteteve të reja bërthamore të tilla si Koreja e Veriut, askush nuk mund të jetë i sigurt se kostoja e dhunimit të një tabuje do të perceptohet si më e lartë se sa përfitimet prej kësaj shkeljeje.

Në mënyrë të ngjashme, një tabi kundër përdorimit të gazeve helmuese në luftë u zhvillua pas Luftës së Parë Botërore dhe Protologji i Gjenevës i vitit 1925 parandaloi përdorimin e armëve kimike dhe biologjike. Dy traktate në vitet 1970 ndaluan prodhimin dhe krijimin e rezervave me armë të tilla, duke krijuar një kosto jo vetëm për përdorimin e tyre, por edhe për posedimin e tyre.

Mekanizmat për verifikimin e zbatimit të Konventës së Armëve Biologjike janë të dobëta (ekziston vetëm detyrimi për të raportuar në Këshillin e Sigurisë së OKB-së), dhe tabu të tilla nuk e ndaluan Bashkimin Sovjetik nga vijimi i posedimit dhe zhvillimit të armëve biologjike në vitet 1970. Në mënyrë të ngjashme, Konventa mbi Armët Kimike nuk e ndaloi as Sadam Huseinin dhe as Bashar al-Asadin nga përdorimi i armëve kimike kundër popullsisë së vet.

Gjithsesi, të dyja traktatet i kanë dhënë formë mënyrës se si të tjerët i perceptojnë sulme të tilla. Perceptime të tilla kontribuuan për justifikimin e pushtimit të Irakut më 2003 dhe shkatërrimit ndërkombëtar të shumicës së armëve kimike të Sirisë më 2014. Me 173 vende që kanë ratifikuar Konventën e Armëve Biologjike, shtetet që dëshirojnë të zhvillojnë armë të tilla duhet të veprojnë në mënyrë sekrete dhe të rrezikojnë kritika të gjera ndërkombëtare në rast se rrjedhin prova mbi aktivitetet e tyre në publik.

Tabutë normative mund të bëhen të rëndësishme edhe në botën kibernetike, megjithëse këtu dallimi mes asaj që përbën armë dhe asaj që nuk është armë varet nga synimi, dhe do të jetë e vështirë të ndalohet – apo e pamundur që të parandalohet me besueshmëri – dizenjimi, posedimi apo zbatimi për arsye spiunazhi i programeve të caktuarfa kompjuterike. Në këtë kuptim, përpjekjet për të parandaluar konfliktin kibernetik nuk mund të jenë njësoj si ato për kontrollin e armëve bërthamore që u zhvillua gjatë Luftës së Ftohtë dhe që përfshiu traktate të stërholluara dhe protokolle të detajuara verifikimi.

Një përqasje më e frytshme për krijimin e kontrolleve normative për luftën kibernetike mund të jetë themelimi i tabuve jo kundër armëve por kundër objektivave. SHBA ka promovuar mendimin se Ligji për Konfliktin e Armatosur (LOAC), i cili ndalon sulme të qëllimshme mbi civilët, është i vlefshëm edhe në hapësirën kibernetike. Në përputhje me këtë ide, SHBA ka propozuar që, në vend që të premtohet se armët kibernetike “nuk do të përdoren si mjet sulmi”, vendet duhet të premtojnë se nuk do t’i përdorim armët kibernetike kundër objektivave civile në kohë paqeje.

Kjo përqasje ndaj normave është përdorur edhe nga GGE. Tabuja mund të përforcohet me masa që synojnë ndërtimin e besimit, të tilla si premtimet për ndihmë analizuese dhe mos-ndërhyrje në punët e Skuadrave të Reagimit ndaj Incidenteve të Sigurisë Kompjuterike (CSIRT).

Raporti i GGE në korrik 2015 u fokusua në kufizimin e sulmeve ndaj objektivave të caktuar civile, dhe jo thjeshtë në ndalimin e një kodi të caktuar. Në samitin e shtatorit 2015 mes Presidentit të SHBA-së Barack Obama dhe Presidentit të Kinës Xi Jinping, të dy udhëheqësit ranë dakord të themelojnë një komision ekspertësh për të studiuar propozimet e GGE. Më pas, raporti i GGE u miratua nga udhëheqësit e 20 vendeve më të industrializuara të njohura si G20 dhe iu referua Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Sulmi mbi sistemin elektroenergjetik të Ukrainës ndodhi në dhjetor 2015, pak pas dorëzimit të raportit të GGE dhe më 2016, Rusia nuk e trajtoi procesin elektoral në SHBA si një infrastrukturë civile që nuk duhet sulmuar. Zhvillimi i kontrolleve normative mbi armët kibernetike vijon të jetë i ngadaltë dhe, deri tani, një proces i papërfunduar. /Project Syndicate/reporter.al/