LAJMI I FUNDIT:

Një në tre gra punojnë pa pagesë në Shqipëri

Një në tre gra punojnë pa pagesë në Shqipëri

Një pjesë e konsiderueshme e grave në moshë pune punojnë si punëtore pa pagesë në biznesin e familjes, kryesisht në fermat bujqësore.

Sipas të dhënave përmbledhëse të INSTAT të publikuara në “Shqipëria në shifra” për vitin 2020, femrat kanë 1.4 herë më shumë gjasa sesa meshkujt për të qenë punëtore pa pagesë në biznesin e familjes.

Të dhënat tregojnë se 27 për qind e tyre të punësuara janë punëtore pa pagesë në biznesin familjar, kundrejt 15.5 për qind të meshkujve të punësuar.

Në vitin 2020, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 60.6 për qind. Në Shqipëri meshkujt janë më aktivë në tregun e punës. Shkalla e punësimit për meshkujt 15-64 vjeç në vitin 2020 ishte 67.8 për qind, ndërsa për femrat 53.6 për qind, me një hendek gjinor në punësim prej 14.2 pikë përqindje.

Në nivel vendi, sektori i shërbimeve dhe ai bujqësor kanë përqindjen më të lartë të të punësuarve me përkatësisht 43.4 për qind dhe 36.1 për qind, ndërsa punësimi në industri përbën 20.5 për qind të të punësuarve gjithsej në vitin 2020. /Scan TV/