LAJMI I FUNDIT:

Një kujtim për një diplomat të njohur dhe një fotograf dhe profesor “anonim” amerikan

Një kujtim për një diplomat të njohur dhe një fotograf dhe profesor “anonim” amerikan
Michael McClellan

Dua të kujtoj një miqësi të çmuar me Michael McClellan, shefin e parë të Zyrës Kulturore Amerikane në Prishtinë në vitin 1996 dhe kur kjo Zyrë Amerikane u shndërrua në Ambasadë Amerikane ai ushtroi për disa vite detyrën e Atasheut për marrëdhenie me publikun.

Michael McClellan me profesion ishte profesor i Historisë së Fotografisë dhe krahas kësaj ishte një fotograf i shkëlqyeshëm. Pra, kjo lidhje e forte e tij me fotografinë ishte shkaku që u njoha me të.


Në vitin 2003 në Galerinë QAFA kisha ekspozitën personale të realizuar krejtësisht me teknologji digjitale (fotografimi, përpunimi dhe shtypi) dhe në hapje të saj, fotografi Naim Shala duke më uruar ekspozitën me tha: “Michael është zyrtar i lartë në Ambasadën Amerikane dhe ka dëshirë me të uru për ekspozitën por edhe me t’ba një pyetje.”

Pasi u njoftova me të dhe më përgëzoi për ekspozitën që e kishte pëlqyer shumë, më tha: “Çfarë filmi ke përdorë gjatë realizimit të këtyre fotografive?” I thash se këto fotografi nuk janë bërë me film, por me teknikë digjitale. Ai i ngazëllyer tha: “Me këtë punë që ke ba m’ke bindë se nuk ka ma asnjë ndryshim mes teknologjisë analoge dhe kësaj që ke përdorë ti, digjitales!” (po flas për kohën kur fotografët shqiptarë por edhe ata botërore, akoma kishin dilema dhe dyshime se teknologjia e re nuk mund ta zëvendësonte teknologjinë analoge).

Pas njohjes jemi takuar edhe disa herë bashkë dhe kur kishte paraqitje publike në mediat e vendit dhe i bëhej pyetje për nivelin e fotografisë shqiptare, më ka veçuar disa herë si fotograf që ka sjell teknologji të re në artin fotografik shqiptar dhe se ajo çka unë bëja nuk dallonte shumë nga ajo çka bënin fotografët nëpër botë…

Michael McClellan ka shkruar edhe një parathënie të shkëlqyeshme për katalogun e ekspozitës që e kisha në Tiranë në vitin 2004.

Po të njëjtin vit, ai emërohet Ambasador Fuqiplotë i Amerikës në Jemen të Azisë dhe në mbrëmjen festive – përshëndetëse – më ftoi bashkë me katër fotografë tjerë, si respekt miqësie dhe kolegjialiteti, kurse unë, pak ditë para se ai të largohej nga Kosova i dhurova një fotografi timen ku kam trajtuar Kryqin Arbëresh që e mbante prifti i Kishës në Fraskati të Kalabrisë, atdhetari i paepur Antonio Belushi, i cili sipas rrëfimit të tij, po përcillej nga njëri prift tek tjetri qysh nga koha kur arbëreshët, pas vdekjes së Skënderbeut ishin vendosur në Kalabri dhe Sicili…

Pas dy vitesh të emërimit të tij Ambasador në Jemen, McClellan erdhi në një vizitë të shkurtër në Prishtinë dhe përmes Naim Shalës, të cilin e kishte mikun ma të mirë në Kosovë, më ftoi në një darkë të veçantë të cilën po e shtronte për fotografet – miq nga Kosova. Në një atmosferë të shkëlqyeshme ai na dhuroi një pako kafe ekselente nga Jemeni që kur ta përdornim ta kujtonim miqësinë me të. Ai më tregoi se fotografinë që ia kisha dhuruar e kishte varë në korridorin e shtëpisë së re në Jemen dhe se e shikonte sa herë hapte derën e hyrjes së saj!