Një tornado përfshiu lagjet në veri të Parisit të hënën, duke rrëzuar tre vinça ndërtimi që vranë një person dhe nga ku mbetën katër të tjerë me lëndime kritike.

Qyteti i Ermont, rreth 20 km (13 milje) në verilindje të Parisit u godit më rëndë nga “vorbulla” e papritur që shkaktoi dëme në rreth 10 lagje, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.


Prokurori rajonal Guirec Le Bras tha se një punëtor ndërtimi 23-vjeçar u vra në një kantier ndërtimi dhe 10 persona u lënduan, me katër në gjendje kritike.

Tornado rrëzoi vinça dhe shkuli çati ndërtesash, thanë autoritetet.

Ministri i Brendshëm Laurent Nunez theksoi në platformën X se kishte qenë një stuhi me "intensitet të papritur dhe të rrallë".

Ai shtoi: "Po e ndjek situatën nga afër dhe shpreh mbështetjen time për zyrtarët, ekipet e shpëtimit në vendngjarje dhe banorët e prekur. I shpreh ngushëllimet e mia familjes dhe të dashurve të viktimës së ndjerë".

Ndërkohë, imazhet e shpërndara në mediat sociale treguan tre vinça që binin brenda pak sekondash nga njëri-tjetri.

Një vinç ra mbi një klinikë, pa shkaktuar lëndime, dhe një tjetër mbi një ndërtesë banimi. Autoritetet thanë se dhjetëra zjarrfikës, policë dhe personel mjekësor kishin dalë në vendngjarje. /Telegrafi/