Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Ferizaj, pasi gjatë një bastisjeje në shtëpinë e tij janë gjetur lëndë narkotike dhe dëshmi të tjera që lidhen me veprimtari të paligjshme.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, bastisja është kryer në rrugën “Naim Beka” me urdhër të prokurorit të rastit.


Gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar 22.25 gramë substancë që dyshohet të jetë kokainë, 1.21 gram marihuanë, gjashtë fishekë, një thikë, një peshore digjitale, një kartelë bankare, 530 euro para të gatshme dhe dëshmi të tjera.

I dyshuari, shtetas kosovar, është arrestuar dhe pas intervistimit është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Hetimet për rastin janë në vazhdim. /Telegrafi/