LAJMI I FUNDIT:

Një histori joshëse: “Bestselleri” mesjetar dhe legjenda e një shenjtoreje “rebele”

Një histori joshëse: “Bestselleri” mesjetar dhe legjenda e një shenjtoreje “rebele”
Një pikturë italiane e shekullit XVII, "Kungimi i Fundit i Shën Marisë së Egjiptit" (Burimi: Getty Images)

Nga: Donna Ferguson / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

Ishte e moshuar. Kishte lëkurë të errët. Në rininë e saj kishte qenë e shthurur dhe e kishte shijuar seksin. Por, pasi e refuzoi botën dhe kaloi 47 vjet duke jetuar e zhveshur në shkretëtirë, Shën Maria e Egjiptit u bë një mësuese e zgjuar dhe e virtytshme e shkrimeve të krishtera – ose të paktën kështu u besua nga lexuesit e shekullit XI.

Kur kjo legjendë e jashtëzakonshme e Shën Marisë u përkthye për herë të parë në anglishten e vjetër nga latinishtja – më shumë se një mijë vjet më parë – u bë ekuivalenti mesjetar i një bestselleri, duke u kopjuar shumë herë dhe duke u përkthyer në islandishten e vjetër, në gjuhën uelsiane, irlandeze dhe më vonë në anglishten e mesme.


Një ilustrim i Shën Marisë dhe murgut Zosima në një dorëshkrim grek të shekullit XI – kur legjenda e saj u bë e njohur edhe në Angli (Burimi: Biblioteka Britanike).

Tani, Universiteti i Kembrixhit po përpiqet të zbulojë misterin e mënyrës dhe arsyes pse historia e kësaj shenjtoreje “rebele” u bë kaq tërheqëse për lexuesit në Anglinë e shekullit XI, si dhe të riafirmojë rolin e saj të merituar në histori si një figurë model për të krishterët mesjetarë anglezë.

“Asnjëherë nuk është bërë një studim i thellë për arsyen se pse kjo legjendë pati një jehonë kaq të madhe në Angli,” thotë Alexandra Zhirnova, një studiuese e Kembrixhit, e cila më 22 mars do të mbajë një ligjëratë për Shën Marinë e Egjiptit si pjesë e Festivalit të Kembrixhit – një ekspozim i kërkimeve që po zhvillohen në këtë universitet. “Dua ta sjell në dritë këtë histori, sepse ajo përgënjeshtron shumë nga stereotipat negativë që kemi dëgjuar për Mesjetën, dhe për idenë se evropianët mesjetarë kishin vetëm perceptime negative për gratë, veçanërisht për gratë me lëkurë të errët. Ligjërata ime hedh dritë në mënyrën se si Maria u pranua si shenjtore në Angli, pikërisht në një kohë kur Kisha ishte shumë e shqetësuar për normat gjinore dhe për mënyrën se si gratë duhej të silleshin,” shpjegon Zhirnova për BBC.

Në atë periudhë, pranimi i një shenjtori nuk ishte proces formal kishtar. “Thjesht ndodhte kur njerëzit fillonin ta adhuronin dikë si të shenjt dhe legjenda e tij bëhej e njohur për shumë njerëz,” thotë Zhirnova. Shën Maria e Egjiptit, e cila besohet të ketë jetuar në Egjiptin e shekullit IV, kishte tashmë statusin e një shenjtoreje në gjithë Evropën. “Por, vetëm kur historia u përkthye në anglishten e vjetër, ajo u bë e qasshme për njerëzit e zakonshëm në Angli,” shton ajo.

Në ligjëratën e saj, Zhirnova do të argumentojë se legjenda sfidon drejtpërdrejt perceptimet e zakonshme mbi atë se si duhet të duket një grua e shenjtë, duke kundërshtuar mësimet mizogjene të meshkujve të asaj kohe, të cilët theksonin bindjen pasive ndaj Kishës, veçanërisht për gratë, si dhe zbatimin strikt të rregullave mbi sjelljen seksuale të grave.

Historia tregohet nga perspektiva e një murgu arrogant, i cili pretendoi se kishte takuar Marinë në shkretëtirë pas 40 vjetëve që ajo kishte jetuar aty e zhveshur.

“Ajo e refuzoi botën deri në atë pikë sa nuk veshi më rroba, sepse nuk i nevojiteshin,” thotë Zhirnova. Pastaj ajo u bë “si një prift” për murgun, duke i shpjeguar atij çfarë nuk shkon në marrëdhënien e tij me Zotin dhe duke ia cituar shkrimet e shenjta – edhe pse nuk e kishte lexuar kurrë Biblën. Megjithëse në rini kishte qenë e shthurur – historia zbulon se ajo kishte pasur shumë dashnorë – murgu e admiron dhe kupton se nuk kishte ditur çfarë do të thoshte të ishte një i krishterë i vërtetë.

“Ajo paraqitet si një shembull i një spiritualiteti të jashtëzakonshëm të krishterë,” thekson Zhirnova. Por, në atë kohë, gratë më të njohura shenjtore ishin zakonisht virgjëreshat të cilat ishin shenjtëruar pas persekutimit për zgjedhjen e tyre për të qëndruar të dëlira dhe që t’i përkushtoheshin Zotit.

Ekzistenca e Shën Marisë – një grua egjiptiane, me përvojë seksuale, e zhveshur dhe e moshuar – sfidon plotësisht këtë stereotip. Megjithatë, Zhirnova thotë: “Historia sugjeron se kjo grua, e cila shkel çdo rregull të vendosur nga Kisha për gratë e shenjta, është një mësim për burrat mbi atë se si duhet të jenë të krishterë më të mirë.”

Megjithëse ajo përshkruhet si me “lëkurë të nxirë,” nuk është plotësisht e qartë nëse Shën Maria ishte zezake ose jo, thotë Zhirnova.

Një pikturë e vitit 1680, Kungimi i fundit i Shën Marisë së Egjiptit nga artisti italian Marcantonio Franceschini (Burimi: Getty Images).

Përkthimi në anglishten e vjetër e përshkruan atë si “shumë të zezë në trup, për shkak të nxehtësisë së diellit.”

Megjithatë, lexuesit mesjetarë nuk i kuptonin ose i perceptonin dallimet racore në mënyrën siç i kuptojmë ne sot. “Në atë kohë, ata besonin se njerëzit me lëkurë të errët ishin të tillë sepse jetonin në vende me shumë diell. Për shembull, Etiopia është një vend me shumë diell, prandaj njerëzit atje kanë lëkurë më të errët,” shpjegon Zhirnova.

Nëse Shën Maria kishte lindur me lëkurë të errët apo e kishte fituar atë për shkak të jetesës jashtë, kjo mund të mos ketë qenë një çështje me të cilën lexuesit mesjetarë do të merreshin shumë. “Nuk e di me siguri në çfarë mase ata do ta kishin konsideruar të rëndësishme të bënin një dallim mes dikujt të lindur me lëkurë të errët dhe dikujt që e kishte marrë atë nga ekspozimi ndaj diellit, por me siguri ata do ta kishin parë atë si dikë me një kulturë ndryshe,” thotë për BBC, Irina Dumitrescu, profesoreshë e Studimeve Mesjetare Angleze në Universitetin e Bonit.

Sipas saj, “ajo që ka rëndësi në lidhje me lëkurën e saj të errët është fakti se tregon se kultura e Anglisë mesjetare ishte më kozmopolite sesa shumica e njerëzve mendojnë. Ata kishin tregti më të gjerë nga sa besohet zakonisht dhe ishin të interesuar për tregimet nga Afrika e Veriut dhe Lindja e Mesme – pra, imagjinata e tyre përfshinte këto rajone.”

Ajo shton se lëkura e çelët idealizohej te gratë në Anglinë mesjetare dhe lidhej me virgjërinë: “Shpesh bëhej një lidhje mes ngjyrës së ndritshme – për shembull, flokëve të artë – dhe dëlirësisë. Kështu që lëkura më e errët e Marisë mund të lidhej me një lloj sensualiteti. Kjo ndjesi e veçimit është e pranishme.”

Dumitrescu beson se përshkrimi i rinisë së “shthurur” të Shën Marisë mund të jetë një nga arsyet pse legjenda ishte kaq popullore mes lexuesve mesjetarë. “Është një histori jashtëzakonisht sensuale,” thotë ajo. “Ka shumë detaje erotike. Ajo flet për udhëtimin me anije nga Egjipti drejt Tokës së Shenjtë dhe për mënyrën se si ua mësoi të gjithë njerëzve, në anije, aktet e pashprehura të ndyra. Është disi e pacipë dhe intriguese.”

Ajo mendon se një tjetër arsye pse kjo legjendë e jashtëzakonshme u bë kaq popullore është sepse “është diçka shumë njerëzore të duash të dish se Zoti i do edhe njerëzit e papërsosur … Historia e Marisë së Egjiptit ka një mësim shumë të rëndësishëm që nuk mund të mësohet nga tregimet për virgjëreshat shenjtore – dhe ky është hiri i Zotit. Kisha gjithmonë ka pasur nevojë për histori të mëkatarëve që mund të shpëtohen.”

Një portret i shekullit XVII i Marisë: Legjenda e përshkruan atë me “lëkurë të nxirë,” por ajo është paraqitur vizualisht me tone të ndryshme të lëkurës. (Burimi: Alamy)

Në një kohë kur shumë nga murgjit lexues dhe kopjues të historisë jetonin gjithë të mbyllur brenda një institucioni, figura e Shën Marisë paraqiste “një figurë shqetësuese,” sipas Dumitrescut, dhe kjo mund të ketë qenë pjesë e asaj se pse tërhiqte të tjerët.

Ndryshe nga tregimet e tjera të shenjtorëve që shkonin në shkretëtirë për t’iu përkushtuar Zotit (një praktikë asketike e njohur si murgëria e shkretëtirës), Maria e Egjiptit nuk qëndroi në një vend. “Ajo është shumë e pazakontë, sepse nuk është as murgeshë e vetmuar që jeton në një shpellë të vogël. Ajo thjesht endet nëpër shkretëtirë. Ajo lëviz lirshëm. Bëhet një me natyrën. Është e zhveshur. Nuk duket si një person i zakonshëm, në asnjë mënyrë, madje as në mënyrën se si jetojnë zakonisht eremitët,” thotë Dumitrescu. “Ajo është një rebele.”

Për të krishterët e devotshëm të cilët bënin një jetë “shumë të rregullt,” ideja për një grua ekzotike, të zhveshur, që endet e lirë në shkretëtirë dhe komunikon me Zotin, do të kishte qenë ekzaltuese dhe “disi joshëse,” shton Dumitrescu. “Ajo është një figurë goxha anti-institucionale. Dhe, mendoj se është absolutisht magjepsëse të kesh një vizion të kësaj gruaje që nuk i ngjan aspak asaj që gratë supozohej të ishin – dhe, megjithatë, Zoti e do atë më shumë se të tjerët.”

Hulumtimi i Zhirnovës sugjeron se ky mesazh mund të ketë qenë në zemër të popullaritetit të legjendës në Anglinë mesjetare. Në të njëjtën periudhë kur kjo histori u përkthye dhe nisi të qarkullonte, po zhvillohej një luftë për pushtet brenda Kishës, e cila kërcënonte të kufizonte liritë e grave të krishtera që jetonin në manastire dhe i ishin përkushtuar Zotit.

Reformistët benediktinë, si abati anglez, Ælric nga Ajnshami, po kërkonin që burrat dhe gratë që punonin së bashku në manastire – shpesh nën drejtimin e një gruaje – të ndaheshin. “Në atë kohë, në Angli, kishte një traditë të gjatë të atyre që quheshin ‘manastire të dyfishta,’ pra komunitete të përziera gjinore. Por, reformatorët thanë se kjo nuk duhej të lejohej, sepse krijonte tundime për të dyja palët,” shpjegon Zhirnova.

Këta reformatorë kërkonin që gratë monastike të virgjëra të bëheshin më pak të dukshme, për vetë mbrojtjen e tyre, duke i izoluar dhe ndarë nga murgjit. Gratë e mençura dhe të moshuara, të cilat kishin pozita të rëndësishme në manastire, do të prekeshin veçanërisht. “Në vend që të mbanin këto pozita të shquara, atyre u duhej të mbylleshin brenda mureve të manastirit dhe të mos lejoheshin të dilnin,” thotë Zhirnova. “Kjo gjithashtu kufizoi shumë nga aktivitetet në të cilat gratë fetare mund të angazhoheshin, siç ishin mësimdhënia, shkrimi i dorëshkrimeve dhe predikimi për njerëzit e zakonshëm.”

Legjenda e Shën Marisë së Egjiptit, e njohur si Jeta e Marisë, mund të jetë përkthyer ose të kishte qarkulluar nga njerëz që nuk ishin dakord me këto reforma, beson Zhirnova. “Në këtë legjendë, ne shohim një grua që reziston plotësisht ndaj nocioneve standarde të autoritetit. Grave nuk u lejohej të mësonin të tjerët – por, Maria ligjëroi.”

Një relikuar italian i shekullit XVIII (ose enë për reliket e shenjta) që paraqet Shën Marinë (Burimi: Getty Images)

Shën Maria sfidoi gjithashtu standardet e zakonshme të kohës për bukurinë dhe sjelljen seksuale të grave shenjtore, si ato të paraqitura në tregimet që Ælric përktheu, në të njëjtën kohë kur u përkthye edhe Jeta e Marisë. “Në këtë periudhë, në Anglinë mesjetare, lëkura e bardhë lidhej me bukurinë, dhe shumica e shenjtoreve për të cilët lexuesit kishin dëgjuar, kishin lëkurë të bardhë, rini dhe bukuri – këto cilësi shkonin dorë për dore,” thotë Zhirnova.

Kjo na tregon se njerëzit mesjetarë në Angli ishin të hapur ndaj modeleve të shenjtërisë që nuk ishin të bardha, të reja dhe të bindura. “Një nga aspektet kryesore të Marisë është se ajo i reziston këtij objektifikimi të shenjtërisë femërore. Ajo qëllimisht nuk përshtatet me këtë standard. Dhe, mendoj se lëkura e saj e errët është pjesë e kësaj – pjesë e imazhit të saj si një grua që refuzon të gjitha pritshmëritë për gratë e shenjta.”

Zhirnova shpreson që studimi i saj do të arrijë atë që bëri Jeta e Marisë në Anglinë e shekullit XI, duke e bërë Shën Marinë – dhe mënyrën e saj të të qenit “një e krishtere e devotshme” – më të njohur për publikun. Ashtu siç Shën Maria sfidoi normat e kishës së kohës së saj, edhe historia sugjeron se ajo ka më shumë autoritet shpirtëror sesa burri i virgjër të cilin ajo e mësoi,” thotë Zhirnova. “Ajo është një shenjtore rebele.”

Zhirnova shpreson gjithashtu që studimi i saj të sfidojë disa nga stereotipat mbi Anglinë mesjetare, të cilat shpesh përdoren nga ekstremi i djathtë. “Shumë njerëz të ekstremit të djathtë e përdorin Mesjetën si një shembull të një kohe kur të gjithë ishin të bardhë dhe lëkura e bardhë vlerësohej si ideale,” thotë Zhirnova. “Në jetën e Shën Marisë, shohim një shenjtore që nuk i përmbahej koncepteve mesjetare të përshpirtshmërisë së krishterë si diçka e bardhë. Kjo na tregon se njerëzit mesjetarë në Angli ishin të hapur ndaj modeleve të shenjtërisë që nuk ishin të bardha, të reja dhe të bindura. Ata ishin të hapur ndaj anës tjetër përfaqësonte Maria.” /Telegrafi/