Një gotë në ditë nga kjo pije e zakonshme mund të ulë rrezikun nga kanceri i zorrës së trashë


Studimi i Universitetit të Oksfordit dhe Cancer Research UK tregon se një ndryshim i vogël në ushqimin e përditshëm mund të ketë ndikim të rëndësishëm në shëndetin e zorrëve
Një gotë qumësht në ditë mund të lidhet me ulje të rrezikut nga kanceri i zorrës së trashë, sipas një studimi të Universitetit të Oksfordit dhe Cancer Research UK. Studiuesit kanë gjetur se shtimi i një gote qumësht në ditë në ushqim mund të shoqërohet me ulje të rrezikut nga ky lloj kanceri deri në 17 për qind.
Kanceri i zorrës së trashë është një nga format më të shpeshta të sëmundjeve malinje në vendet e zhvilluara, me një trend shqetësues rritjeje. Faktorë si pirja e duhanit, mungesa e aktivitetit fizik, alkooli, konsumimi i mishit të përpunuar dhe ushqimi i pabalancuar mund të ndikojnë në rritjen e rrezikut.
Shumë njerëz nuk e dinë se kjo pije e zakonshme mund të ketë rol mbrojtës
“Si onkolog, i këshilloj pacientët e mi se si ushqimi dhe mënyra e jetesës mund të ndikojnë në shëndet, përfshirë edhe rrezikun nga zhvillimi i kancerit. Ky hulumtim, një nga më të mëdhenjtë deri tani për lidhjen mes ushqimit dhe sëmundjeve, hedh dritë të re mbi mënyrën se si ndryshime të thjeshta dhe të lira në ushqim mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut nga kanceri”, ka thënë Justin Stebbing, profesor i shkencave biomjekësore në Universitetin Anglia Ruskin.
Sipas tij, përveç shtimit të një gote qumësht në ditë, edhe ulja e konsumimit të alkoolit, mishit të kuq dhe mishit të përpunuar mund të ndihmojë në mbrojtjen nga kanceri. Studimi ka treguar se konsumimi i 20 gramëve shtesë alkool në ditë, që përafërsisht i përgjigjet një gote të madhe vere, lidhet me rritje të rrezikut nga kanceri i zorrës për 15 për qind. Ndërsa konsumimi i më shumë se 30 gramëve mish të kuq ose të përpunuar në ditë është lidhur me rritje të rrezikut për 8 për qind, transmeton Telegrafi.

Qumështi mund të veprojë në disa mënyra
Studimi ka treguar se personat që kanë konsumuar rreth 244 gramë qumësht shtesë në ditë, afërsisht një gotë të madhe, kishin 17 për qind rrezik më të ulët për zhvillimin e kancerit të zorrës. Ky efekt është vërejtur si te qumështi i plotë, ashtu edhe te qumështi gjysmë i skremuar dhe ai i skremuar.
“Studiuesit kanë gjetur se efekti mbrojtës i konsumimit të qumështit ishte i pavarur nga faktorë të tjerë ushqimorë dhe nga mënyra e jetesës. Kjo sugjeron se përfitimet e qumështit në uljen e rrezikut nga kanceri i zorrës nuk lidhen vetëm me faktin se qumështi zëvendëson zgjedhje më të pashëndetshme ose konsumohet si pjesë e një stili jetese përgjithësisht më të shëndetshëm”, ka thënë profesori Stebbing.
Autorët kanë theksuar se ekzistojnë disa arsye të mundshme pse qumështi mund të ndikojë në uljen e rrezikut. Ai është i pasur me kalcium, i cili është lidhur me rrezik më të ulët nga kanceri i zorrës së trashë. Kalciumi mund të ndihmojë duke u lidhur me substanca potencialisht të dëmshme në zorrë dhe duke nxitur eliminimin e qelizave jonormale.
“Shumë produkte të qumështit janë të pasuruara me vitaminë D, për të cilën është treguar se ka veti antikancerogjene dhe mund të ndihmojë në rregullimin e rritjes dhe ndarjes së qelizave. Gjithashtu, laktoza në qumësht mund të nxisë rritjen e baktereve të dobishme në zorrë, të cilat prodhojnë butirat, një acid yndyror me zinxhir të shkurtër me efekte antiinflamatore dhe potencialisht antikancerogjene”, ka shtuar Stebbing.
Sipas tij, qumështi përmban edhe acid linoleik të konjuguar, një acid yndyror që gjendet në mish dhe produkte të qumështit dhe që, sipas disa studimeve laboratorike, mund të ketë veti mbrojtëse ndaj kancerit.
“Zbulimi se një rritje relativisht e moderuar e konsumimit ditor të qumështit mund të lidhet me ulje të rëndësishme të rrezikut nga kanceri i zorrës është veçanërisht inkurajues. Kjo tregon se ndryshime të vogla dhe të arritshme në ushqim mund të kenë ndikim të rëndësishëm në shëndet”, ka përfunduar Stebbing.
Megjithatë, qumështi nuk duhet parë si zëvendësim për kontrollin mjekësor, skriningun, aktivitetin fizik, ushqimin e balancuar dhe shmangien e faktorëve të njohur të rrezikut. Ai mund të jetë pjesë e një mënyre më të shëndetshme të të ushqyerit, por jo një garanci e vetme kundër sëmundjes. /Telegrafi/





































