Ajo që duhet të thuhet në fillim për filmin “Mr. Jones”, është se regjisorja polake, Agnieszka Holland, ka bërë një film të mirë për temën e gazetarisë. Filmi fillon në vitin 1933 kur gazetari britanik (uellsian) Gareth Jones, rolin e të cilit e luan James Norton, është në pozitë të këshilltarit për çështje të jashtme të kryeministrit britanik David Lloyd Gorge, i cili po ashtu ishte uellsian. Lloyd George ka qenë politikan oportunist dhe i zhdërvjelltë, i cili e kishte takuar Isa Boletinin në vitin 1913 në një bisedë të gjatë që e kishte mundësuar Aubrey Herbert. Me këtë rast, Lloyd George i kishte dhënë shpresa Isa Boletinit se nuk do të mungonte ndihma britanike për shqiptarët. Por, siç u pa më vonë, ai e injoroi tërësisht çështjen shqiptare dhe madje luajti rol negativ në krijimin e intrigave kundër Shqipërisë.

Këshilltari i tij, Jones, i cili ka qenë gazetar, në vitin 1933 e kishte intervistuar Hitlerin duke udhëtuar në aeroplanin privat të prijësit nazist gjerman. Me këtë rast, Jones kishte zbuluar se Gjermania po përgatitej për luftë. Jones, si gazetar, kishte informata se diçka e pazakonshme po ndodhte edhe ne BRSS-në e udhëhequr nga Stalini. Në një mbledhje të Qeverisë britanike, Jones, në pozitën e këshilltarit, ia bën me dije kabinetit britanik për këto shenja që paralajmëronin një të ardhme ogurzezë. Gjermanët dhe sovjetikët po armatoseshin me të madhe. Ky ishte një fakt që shkonte në kundërshtim me ndërtimin e utopisë gjermane dhe sovjetike që në Perëndim pranohej pa ndonjë kritikë serioze. Askush në qeveri nuk dëshironte të dëgjojë këshilla të tilla. Britania e Madhe, sikur edhe shumica e shteteve të Perëndimit, kanë qenë komode me situatën ndërkombëtare të atyre viteve dhe nuk dëshironin të dëgjonin parashikime të errëta, edhe nëse ato ishin të vërteta. Kjo është arsyeja që kryeministri Lloyd George e liron Jonesin nga detyra e këshilltarit.

Më këtë rast, Jones, i cili fliste edhe rusisht, ia mësynë BRSS-së për ta intervistuar Stalinin. Me të arritur në Moskë, Jones kupton se miku i tij, që i kishte dhënë shenja të një situate të çuditshme që po ndodhte në BRSS, ishte vrarë nga NKVD (shërbimi sekret rus) që e përcillte. Kontakti tjetër i Jonesit është Walter Durranty, korrespondenti në Moskë i ditores ‘New York Times’, rolin e të cilit e luan Peter Sarsgaard. Durranty kaq qenë një gazetar që kishte marrë çmimin Pulitzer, shpërblimin më të lartë për gazetari në ShBA. Fizikisht, Dyrranty ka qenë tapall, kurse shpirtërisht ndër gazetarët e këqij që bëjnë dëme të mëdha në shoqëri. Ai ka qenë në shërbim të sovjetikëve dhe ka shkruar vetëm artikuj që e kanë idealizuar sistemin komunist sovjetik, duke e fshehur realitetin. Për këtë arsye, sovjetikët ia mundësojnë atij jetën e mbretit, Prandaj, ky korrespondent ka patur pushtet të pakufishëm e madje organizonte ahengje dekadente me argëtime të shfrenuara që përshkoheshin me orgji, alkool e drogë, të shoqëruar me xhaz e kabare, edhe pse zyrtarisht të ndaluara. Kjo ka qenë jeta e shumë korrespondentëve të huaj në atë kohë, kur pushteti sovjetik ua ndalonte gazetarëve të huaj udhëtimet jashtë Moskës dhe i ‘argëtonte’ në kryeqytet. Por, kjo nuk ka qenë jeta që e favorizonte gazetari Jones.

Jones, pasi që i pamundësohet intervista me Stalinin, ia del që ta bindte pushtetin për ta vizituar Ukrainën, për të cilin vend ka informata se po mbretëron një uri e madhe. Në tren Jones ia del që t’i largohet përcjellësit që ia kishte caktuar shërbimi sekret. Në mënyrë të pavarur, viziton fshatra dhe qytete ku merr vesh për një tmerr të madh që e kishte kapluar Ukrainën. Diktatura e Stalinit kishte krijuar uri gjenocidale, e njohur si Holdomor, nga e cila vdiqën miliona ukrainas. Uria ishte aq e madhe sa që Jones përjeton situata të përhapjes së kanibalizmit. Stalini e mblidhte grurin dhe tërë bereqetin në këtë vend për ta shitur, në mënyrë që të siguronte para për armatim dhe normalitet në republikat tjera.

Ky film, nga shikuesit dhe kritikët është karakterizuar si dëshmi për gjenocidin e Stalinit në Ukrainë. Por, filmi ka edhe segmentin tjetër që duket se është injoruar. Segmenti i dytë, që duhet të jetë kryesori, është gazetaria apo mënyra se si shtetet diktatoriale në atë kohë kanë patur mundësi ta kontrollojnë informatën në dobi të tyre. Në këtë rast BRSS ia ka dalë ta bëjë të veten duke ushtruar dhunë ndaj gazetarëve, kurse të huajt i ka korruptuar. Por, rasti i Jonesit vërteton se nuk korruptohen të gjithë gazetarët.

Rrjedha e informatave, në një mënyrë, është kontrolluar (bllokuar) edhe në shtetet demokratike të Perëndimit. Artikulli i Jonesit refuzohet nga shumë gazeta të kohës dhe pas shumë problemeve mezi botohet. Megjithatë, me këtë artikull, informata për vdekjen masive të ukrainasve e merr dhenë dhe del në pah se shoqëria komuniste sovjetike nuk është ashtu siç është imponuar nga Moska dhe siç është perceptuar në Perëndim.

Filmi, i bazuar në ngjarje të vërtetë, e ka mbase një problem. Këtu është inkorporuar George Orwelli për t’i dhënë peshë përmbajtjes. Nuk ka dëshmi që Jones dhe Orwell janë njohur ose janë takuar ndonjëherë. Në film sporadikisht lajmërohet Orwelli, duke e shkruar ‘Fermën e Shtazëve’ i cili është prezent edhe në ligjëratën që Jones e mban në lidhje me situatën në BRSS, atë që ka përshkruar në artikull. Madje, në një bisedë, Orwelli sugjeron se ngjarja në Ukrainë ndoshta mund të arsyetohet për shkak se shteti sovjetik, i cili po ndërtonte një shoqëri ku shërbimet për qytetarët ishin falas, nuk mund t’i zhvillojë të gjitha segmentet në mënyrë paralele. Dyshimi i Orwellit, sikur edhe i shumë intelektualëve majtistë në atë kohë, ka qenë i ‘arsyeshëm’. Intelektualët e kanë për detyrë që t’i përkrahin iniciativat dhe veprimet e proceseve të cilat ndërtojnë shoqëri të barabartë, për të gjithë njerëzit. Por, a ishte BRSS në këtë rrugë? Në atë kohë kishte dyshime dhe filmi e adreson këtë pikë.

Filmi po ashtu sugjeron se Jones ka qenë frymëzimi i Orwellit për shkrimin e ‘Ferma e Shtazëve’. As kjo nuk është për t’u besuar. Orwelli ka qenë një majtist apo socialist, i cili nuk i ka duruar partitë e sidomos qeveritë autoritare. Orwelli është formësuar vetëm pas Luftës Civile në Spanjë ku mori pjesë në anën e anarkistëve që ranë në konflikt me komunistët e kontrolluar nga Moska. Duhet të mos harrojmë se edhe Orwelli ka pasur vështirësi serioze me botimin e ‘Fermës’ së tij. Në atë kohë, edhe pse pas Luftës së Dytë Botërore, mezi u gjet botuesi për shkak se Britania e Madhe ishte ende në aleancë me BRSS-në.

Sidoqoftë, ky film pasqyron gjenocidin në Ukrainë edhe pse po bëhet një shekull nga ajo ngjarje. Kurrë nuk është vonë për vepra e filma të këtillë. Të shpresojmë që nuk do të kalojë kaq shumë kohë që të bëhet një film i këtillë edhe për Kosovën pasi që të dy elementet, gazetaria dhe gjenocidi, janë prezente edhe në këtë rast.