Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka njoftuar për fillimin e vizitave sistematike shëndetësore në të gjitha shkollat e komunës.

Sipas tij, ky aktivitet ka për qëllim përmirësimin e kujdesit shëndetësor për nxënësit dhe identifikimin në kohë të hershme të problemeve të mundshme.


“Sot fillojmë me realizimin e vizitave sistematike shëndetësore, në të gjitha shkollat e Komunës së Suharekës”, ka bërë të ditur Muharremaj.

Ai ka theksuar se përmes këtyre vizitave synohet monitorimi i gjendjes shëndetësore të nxënësve, si dhe rritja e ndërgjegjësimit për rëndësinë e edukimit shëndetësor.

“Qëllimi i këtyre vizitave është monitorimi dhe përmirësimi i shëndetit të nxënësve, identifikimi i hershëm i problemeve shëndetësore, si dhe promovimi i edukimit shëndetësor”, ka shtuar ai.

Në fund, kryetari i Suharekës ka uruar sukses për ekipet që do të realizojnë këtë proces.

“Punë të mbarë”, ka përfunduar Muharremaj. /Telegrafi/