Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka njoftuar për ndarjen nga jeta të Flamur Kuçit, i cili ka vdekur në moshën 37-vjeçare.

Në një postim në Facebook, Muharremaj ka shprehur ngushëllime për familjen e të ndjerit, duke e vlerësuar Kuçin si profesionist të respektuar në qytet.


“Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Flamur Kuçit, në moshën fare të re, 37 vjeçare”, ka shkruar ai.

Ai ka theksuar se i ndjeri, sipas tij, ishte i respektuar nga qytetarët e Suharekës.



“Flamuri ishte një djalë i urtë, profesionist i respektuar dhe ekonomist që me punën dhe sjelljen e tij fitoi respektin e qytetarëve të Suharekës”, ka shkruar Muharremaj.

Më tej, ai e ka cilësuar vdekjen e tij si humbje të madhe për familjen dhe rrethin shoqëror.

“Ikja e tij e hershme është humbje e madhe për familjen, miqtë dhe gjithë ata që e njohën”, ka shtuar ai, duke përfunduar: “Qoftë i përhershëm kujtimi për të”.

Në një postim të dytë, Muharremaj ka njoftuar gjithashtu se janë pezulluar aktivitetet politike të fushatës zgjedhore të subjektit të tij politik në Suharekë, për shkak të kësaj ngjarjeje.



“Ju njoftoj se të gjitha aktivitetet politike të fushatës zgjedhore, të subjektit tonë politik të Aleancës në Suharekë, do të pezullohen për shkak të ngjarjes së hidhur, me rastin e vdekjes së të riut Flamur Kuqi”, ka shkruar Muharremaj.

Sipas tij, aktivitetet zgjedhore do të rinisin të nesërmen sipas agjendës.

“Aktivitetet zgjedhore do të vazhdojnë nga dita e nesërme sipas agjendës”, ka shkruar Muharremaj. /Telegrafi/