LAJMI I FUNDIT:

Nisin punimet e Forumit Ekonomik Botëror: Një thirrje për lidership më të përgjegjshëm

Nisin punimet e Forumit Ekonomik Botëror: Një thirrje për lidership më të përgjegjshëm

Mbledhja vjetore e 51-të e Forumit Ekonomik Botëror, po zhvillohet përgjatë 25-29 janarit, por me një ndryshim të madh. Derisa për 50 vjet me radhë kjo mbledhje e famshme e liderëve globalë të biznesit, qeverive dhe shoqërisë civile është bërë në Davos të Zvicrës, për shkak të pandemisë së koronavirusit ngjarja e këtij viti po zhvillohet virtualisht.

Ky takim i mbi 1200 delegatëve nga 60 shtete synon t’i japë përgjigje ngjarjeve “apokaliptike” të 12 muajve të fundit. “Një vit vendimtar për të rindërtuar besimin”, është tema e këtij viti e ndërtuar rreth “Rifillimit thelbësor” (the Great Reset), një iniciativë e filluar në vitin 2020 nga themeluesi i Forumit Ekonomik Botëror, profesori Klauss Schwab dhe princi Charles i Uellsit.


Mbledhja thekson faktin se shoqëria jonë po përballet me sfida të cilat kërkojnë zgjidhje dhe veprim të koordinuar global. Efektet e pandemisë së koronavirusit komplikohen gjithmonë e më shumë nga kërcënimet e tjera globale, përfshirë krizën e klimës, atë financiare si edhe pabarazinë sociale dhe ekonomike; e si rrjedhojë bëjnë të domosdoshme përgjigjen ndaj tyre me përgjegjshmëri.

Kush po merr pjesë në këtë javë të agjendës virtuale të Davosit?

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, si dhe drejtues të organizatave kryesore ndërkombëtare, si Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh), Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP), Fondi Ndërkombëtar i Emergjencave të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) japin pikëpamjet e tyre për të ndihmuar që të rrisim bashkëpunimin mes shteteve dhe aktorëve të tjerë, të shmangim katastrofën e klimës, si dhe të krijojmë një të ardhme më të drejtë dhe të qëndrueshme.

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, si dhe udhëheqës të tjerë nga Azia, diskutojnë mbi rolin e kontinentit të tyre në rimëkëmbjen e ekonomisë globale, duke marrë parasysh që kontinenti aziatik ka rreth 50 për qind të GDP-së globale dhe rreth 50 për qind të popullsisë në botë.

Në Evropë po përballemi me valën e dytë ose të tretë të pandemisë COVID-19. Kancelarja Angela Merkel, presidenti Emmanuel Macron, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, së bashku me udhëheqës tjerë kryesorë të shteteve evropiane, drejtues të shteteve pjesë e grupit G20, dhe zëra të fortë nga Amerika Latine (si presidenti Kolumbian, Duque Marquez), po flasin në lidhje me sfidat dhe format e mundshme të bashkëpunimit. Mbreti Abdullah i Jordanisë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe mbi 100 ministra të shteteve të ndryshme, si dhe figura të njohura të botës akademike si Yuval Noah Harari, diskutojnë për mënyrat për të rritur bashkëpunimin, besimin mes palëve të interesit dhe për të çuar gjërat para.

“Kriza e Covidit-19 na ka treguar se sistemet tona të vjetra nuk janë më të përshtatshme për shekullin XXI”, theksoi drejtuesi i Forumit Ekonomik Botëror, profesori Klaus Schwab, “Si rrjedhojë, është i domosdoshëm një rifillim thelbësor.” Iniciativa “Rifillimi thelbësor” synon të sjellë së bashku mendjet më të ndritura të botës për të projektuar një botë më të mirë, më të drejtë, më të gjelbër dhe më të shëndetshme teksa rimëkëmbemi nga pandemia. Vizioni i Forumit Ekonomik Botëror për një “rifillim thelbësor” pranon se ajo që nevojitet për t’iu përgjigjur këtyre krizave shkon përtej reformave ekonomike, masave klimatike, trajtimit të një pandemie (ka të bëjë me ndërmarrjen e kombinuar të këtyre masave dhe më shumë); se mbështetet në perceptimin se lëvizjet në vijim duhet të ndërlidhen me misionin për ta bërë shoqërinë më gjithëpërfshirëse e të bashkuar dhe në një formë për të përputhur qëndrueshmërinë mjedisore me atë sociale (bazohet në thirrjen për të rindërtuar një botë më të mirë, duke e rikonceptuar kapitalizmin).

Janë shtatë tema thelbësore në të cilat po punohet këtë javë për arritur këtë qëllim: qëndrueshmëria mjedisore; krijimi i ekonomive më të drejta; përdorimi i teknologjisë për të mirë; e ardhmja e punës dhe nevoja për aftësi të reja bazuar në kërkesë të tregut; biznes më i mirë; e ardhme e shëndetshme me qasje të barabartë për të gjithë; dhe, “përtej gjeopolitikës”, nevoja që qeveritë kombëtare që bashkëpunojnë globalisht.

Sipas Forumit Ekonomik Botëror, çelësi i suksesit është rikthimi i besimit të publikut në institucionet qeveritare, i cili “po gërryhet pjesërisht për shkak të keqmenaxhimit të pandemisë së koronavirusit”. Por, rikthimi i besimit mund të jetë i vështirë, duke qenë se ka pak ndryshime në udhëheqjen, qoftë të biznesit apo qeverive. Ka shpresë të madhe te presidenti 78-vjeçar amerikan, Joe Biden, i cili ishte zëvendëspresident i ShBA-së për tetë vjet, kohë kjo gjatë të cilës shumë nga këto probleme po akumuloheshin pa u dhënë zgjidhje.

Për fat të keq, shkaku kryesor për optimizëm është fakti që krizat e sotme janë aq të mëdha sa ato realisht mund të provokojnë veprim. Krizat e ardhshme financiare duken të mundshme. Kriza e klimës gjithnjë e më shumë pranohet të jetë një kërcënim ekzistencial. Dhe, tani pandemia është një katastrofë e madhe ekonomike dhe njerëzore.

Si rrjedhojë, bëhen të domosdoshme ndërmarrja e hapave të guximshëm për të trajtuar këto kërcënime të së tashmes e të ardhmes së afërt, për qeverisur më mirë duke synuar uljen e pabarazive dhe ndërmarrjen e politikave të qëndrueshme nga të gjithë qeveritë e vendeve të botës. Dilema qëndron nëse vërtetë do të veprojnë në një mënyrë të tillë. Besoj se po, nëse do të ketë presion të mjaftueshëm popullor – nga qytetarët, votuesit, konsumatorët, punëtorët, akademia dhe aktivistët – për të nxitur qeveritë dhe biznesin për të ndryshuar thelbësisht mënyrën e veprimit.

Ka shumë vjet që thirrje të tilla për veprim janë bërë nga intelektualët, shoqëria civile si dhe vetë udhëheqësit e biznesit dhe të qeverive përgjatë mbledhjeve vitet e kaluara në Davos e gjetkë. Shpresa është që kësaj here, shkalla e emergjencës më në fund do ta bëjë të pashmangshëm ndryshimin rrënjësor.

(Autorja është themeluese e Komunitetit të Global Shapers në Tiranë, iniciativë kjo e Forumit Ekonomik Botëror, si dhe ligjëruese në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës)

Në trend

Më shumë

"Dhëmbët, flokët e veshët" - Gani Gërmia me ndryshime drastike në pamje

Magazina
Palestinezët festojnë

Palestinezët festojnë "pranimin e marrëveshjes" nga Hamasi, ndërsa izraelitët protestojnë për kthimin e pengjeve

Botë

"Mjekët më thanë se së shpejti do të vdes", Ish-portieri gjerman tregon sëmundjen e rëndë me të cilën po përballet

Bundesliga
Tre sulmuesit që Xavi i do për të përforcuar sulmin e Barcelonës këtë verë

Tre sulmuesit që Xavi i do për të përforcuar sulmin e Barcelonës këtë verë

La Liga
Blero flet për takimin me Afronën: Kur e pashë atë duke qarë, më doli loti - edhe burrat qajnë

Blero flet për takimin me Afronën: Kur e pashë atë duke qarë, më doli loti - edhe burrat qajnë

Magazina
Bisedimet kanë nisur, Jose Mourinho befason të gjithë me skuadrën e tij të re

Bisedimet kanë nisur, Jose Mourinho befason të gjithë me skuadrën e tij të re

Ndërkombëtare
Kalo në kategori