LAJMI I FUNDIT:

​Nisin hetimi ndaj ZRRE-së rreth tarifën nxitëse për energji diellore

​Nisin hetimi ndaj ZRRE-së rreth tarifën nxitëse për energji diellore

Komisioni për Ndihmë Shtetërore në mbledhjen e tij të rregullt, i ka kërkuar Departamentit të Ndihmës Shtetërore (DNSH) në Ministrinë e Financave dhe Transfereve, që nën dyshimin për dhënien e ndihmës së kundërligjshme, bazuar në Ligjin për Ndihmë Shtetërore, t’i kërkojë Zyres se Rregullatorit për Energji (ZRRE) të paraqesë të gjitha të dhënat rreth vendimit për tarifën nxitëse për prodhimin e 20 megavat shtesë të energjisë diellore/solare në Republikën e Kosovës.

Ky komision sqaron se ZRRE përmes vendimit të datës 27.11.2019, ka caktuar tarifën nxitëse prej 85.5 euro për megavat, duke garantuar kështu, për 12 vjet, çmimin e blerjes për prodhuesit të energjisë diellore, të zgjedhur mbi bazën ‘kush vjen i pari, shërbehet i pari’, në mungesë të procedurave të hapura konkurruese.


“Tavani për të përfituar nga kjo masë e ndihmës për prodhues është deri në 3 megavatë. Komisioni për Ndihmë Shtetërore ka shprehur shqetësimin në lidhje me shmangjen e obligimeve ligjore nga ana e ZRRE, me vendimin e marrë, dhe nënvizon faktin se masa e ndihmës subjekt i këtij vendimi sipas nenit 11 (1) të Ligjit për Ndihmën Shtetërore është e kundërligjshme pasi nuk është njoftuar te autoritetet e mandatuara për të konstatuar përputhshmërinë me ligjin. Për më tepër, ZRRE-ja ishte në dijeni të detyrimeve të saj në bazë të Ligjit. Mbi këtë bazë ZRRE obligohet të paraqesë të gjitha të dhënat e kërkuara për masën e ndihmës në fjalë, brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve pune, nga dita e pranimit të kërkesës. Procedura që do të ndiqet nga DNSH/MFT është e krijuar, ndër të tjera, për të vërtetuar faktet.

Vendimi përfundimtar në lidhje me këtë masë të ndihmës do të merret nga KNSH, dhe si i tillë tash për tash nuk mund të paragjykohet. Komisioni për Ndihmë Shtetërore është në dispozicion të Departamentit për Ndihmë Shtetërore, ZRRE dhe institucioneve tjera dhënëse të ndihmës, me udhëzimet e nevojshme në aplikimin e Ligjit për Ndihmën Shtetërore në vend. Ndryshe, Komisioni për Ndihmë Shtetërore/KNSH është institucion i pavarur i krijuar në bazë të Ligjit për Ndihmën Shtetërore 05/L-100, dhe anëtarët e tij zgjedhen dhe emërohen në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Krahas tij, Departamenti i Ndihmës Shtetërore në kuadër të Ministrisë së Financave dhe Transfereve kryen funksionin mbështetës për Komisionin.

Nga viti i kaluar, kur KNSH është funksionalizuar, deri tash, ka marrë 1 vendim negativ dhe 8 vendime De Minimis, raste këto që nga data 18.02.2020, me hyrjen në fuqi të rregullores De Minimis, (shih: https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=27067.) vendosen në nivel të dhënësve të ndihmës, (Qeveria, Ministritë, Agjencitë dhe Komunat) në bazë të kritereve që përcakton rregullorja. Te njëtit (dhenes) janë të obliguar t’i raportojnë ato në DNSH, ndërsa ky i fundit konsolidon dhe mbanë regjistrin e ndihmës shtetërore në vend”, thuhet në komunikatën e komisionit.

Komisioni aktualisht i ka në procedurë edhe 7 raste të tjera për shqyrtim/vendim.