LAJMI I FUNDIT:

Nipat e Jasharëve edhe për pesë vjet udhëheqës të Aeroportit “Adem Jashari”

Nipat e Jasharëve edhe për pesë vjet udhëheqës të Aeroportit “Adem Jashari”

Bahri Nuredini dhe Bekim Jashari edhe më tej do të jenë udhëheqës të Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”.

Nuredini dhe Jashari janë dajë e nip. Bahri Nuredini është nip i familjes Jashari nga Prekazi ndërsa Bekimi është i biri i heroit të kombit Hamzë Jashari dhe nipi i komandantit legjendar Adem Jashari.


Vendimi për zgjatjen e mandatit të Nuredinit dhe të Jasharit është bërë sot në mbledhjen e Qeverisë.

Bahri Nuredini është emëruar sërish drejtor i Agjencisë për Shërbime të Navigacionit Ajror ndërsa Bekim Jashari anëtar i Bordit të Autoritetit Civil të Kosovës.

Këto propozime i ka bërë sot ministri i Infrastrukturës Lutfi Zharku e që janë miratuar nga kabineti Qeveritar.

Qeveria po ashtu me propozim të Zharkut miratoi edhe vendimin që zëvendësdrejtorë të Nuredinit të jenë Bujar Ejupi dhe Ersen Shilek.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për emërimin e anëtarëve në Bordin e Autoritetit të Aviacionit Civil .

Kryetar i Bordit është emëruar Samed Dalipi, zyrtar i lartë në LDK, Bekim Jashari, Ardian Gaxherri dhe Adelina Salihu.

Zharku tha se emrin e anëtarit të pestë do të propozojë në mbledhjen e ardhshme.

Ministri i Infrastrukturës madje kërkoi që kolegët e tij të kenë mirëkuptim dhe të votojnë emrat e propozuar nga ai pasi që përbërja e Bordit mungon tash e dy vjet.

Kërkoj një mirëkuptim që ta emërojmë Bordin për shkak se afër dy vite Autoriteti i Aviacionit Civil është pa bord. Sot iu propozoj për kryetar, Samed Dalipi, anëtarë Bekim Jashari, Ardian Gaxherri dhe Adelina Salihu”, tha Zharku.

Zakonisht anëtarët e Bordit të Ndërmarrjeve Publike emërohen nga politika. Madje këtë e ka pranuar edhe vet kryeministri Isa Mustafa me një rast kur ka pasur akuza për emërime politike të anëtarëve të Bordeve. /Telegrafi/