LAJMI I FUNDIT:

Nikolloski: Do të ndërtohet rrugë alternative në relacionin Tetovë – Gostivar

Nikolloski: Do të ndërtohet rrugë alternative në relacionin Tetovë – Gostivar

Para fillimit të ndërtimit të autostradës Tetovë – Gostivar, sipërmarrësi fillimisht do të ndërtojë një rrugë alternative në mënyrë që vendbanimet përgjatë autostradës dhe komuna të caktuara të mos bllokohen, tha zv. kryeministri dhe ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski.

Dinamika në terren është forcuar, theksoi Nikolloski, po punohet në shpronësim, dhe plani është që fillimisht të ndërtohen ura të reja, e më pas të rrënohen urat e vjetra. Traseja është zhvendosur për shkak të ndërtimit të tubacionit të ujitjes në rajonin e Pollogut.

“Nëse i rrënojmë urat, do të jetë problem serioz për banorët sepse fshatra dhe komuna të tëra, për shembull Bërvenica dhe Gostivari, do të mbeten të shkëputura. Prandaj ne ramë dakord me Kontraktorin që fillimisht të punohet në rrugën alternative dhe më pas të ndërtohet një urë për urë dhe fillimisht të ndërtohet një urë e re dhe më pas të prishet një urë e vjetër. Atje na ka rezultuar problem edhe shpronësimi, sepse nuk është supozuar ndërtimi i tubacionit për ujitjen e Pollogut. Së pari duhet të ndryshojmë trasenë dhe kjo nënkupton një shpronësim të ri dhe pres që deri në mars të vitit të ardhshëm ta përfundojmë shpronësimin”, tha Nikolloski.


Lidhur me trasenë Gostivar Bukojçan, ministri theksoi se ajo pritet të përfundojë brenda tre viteve, gjegjësisht deri në fund të vitit 2027, ndërsa për vitin e ardhshëm në buxhet janë paraparë rreth 8 miliardë denarë për ndërtimin e autostradave në korridorin 8 dhe 10d./Telegrafi/