Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski deklaroi sot se Qeveria po bën gjithçka që është në mundësitë e saj për t’u ndihmuar transportuesve. Ai tha se po lidhen marrëveshje dypalëshe me vendet anëtare të zonës Shengen.

“Kemi mirëkuptim të plotë për transportuesit dhe po përpiqemi, brenda mundësive tona, të ndihmojmë dhe të gjejmë zgjidhje. Bëhet fjalë për rregulla në zonën Shengen dhe për rregulla që rregullohen nga zona Shengen. Ajo që mund të bëjmë ne është të nënshkruajmë marrëveshje dypalëshe me vendet anëtare të zonës Shengen. Këtë tashmë po e bëjmë dhe kemi arritur marrëveshje me disa vende, ndërsa në periudhën e ardhshme do të punojmë intensivisht për marrëveshje me vende të tjera. Në shtator është paralajmëruar një takim i nivelit të lartë me qeverinë austriake, ndërsa në tetor është paralajmëruar takim edhe me atë sllovene – tha Nikolloski pas vizitës në Strugë, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur me protestat e paralajmëruara të transportuesve maqedonas.


Ai theksoi se për këtë çështje po punohet edhe me Gjermaninë, me synimin që të mbulohen rrugët në të cilat transportuesit nga Maqedonia e Veriut qarkullojnë më shpesh.

“Ne nuk ndalemi dhe vazhdojmë të punojmë për marrëveshje dypalëshe me të gjitha vendet që janë të gatshme për një bashkëpunim të tillë. Synojmë të mbulojmë në përgjithësi rrugët në të cilat transportuesit maqedonas qarkullojnë më së shumti. Me Zvicrën, Kroacinë dhe Rumaninë tashmë kemi marrëveshje. Po punojmë edhe me Gjermaninë dhe në këtë mënyrë po mbulojmë vendet ku ka frekuencën më të madhe. Kjo është ajo që mund të bëjmë dhe që po e bëjmë në këtë periudhë”, theksoi Nikolloski.