Zv. kryeministri dhe Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski deklaroi sot në Kuvend se pajtohet me qëndrimin që futja e sistemit EES për transportuesit duhet të shtyhet.

Nikolloski në seancën për çështjet e opozitës tha se Qeveria mbështet qëndrimin e Odës së Investitorëve të Huaj në Maqedoni në lidhje me sistemin EES për hyrje dhe dalje nga BE-ja dhe njoftoi se pas seancës, do të ketë një takim me Kryetarin e Dhomës së Tregtisë, Branko Azeski, për këtë temë.


"Shpresoj që një presion i përbashkët do të japë rezultate. Gjithashtu, në seancën e djeshme të Qeverisë, i ngarkuam detyrë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme që t'i drejtohet përsëri BE-së me një kërkesë për shtyrjen e këtyre rregullave, kështu që shpresoj që ky problem të zgjidhet sepse është i madh dhe sepse paraqet një goditje serioze për ekonomitë e të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor", tha Nikolloski.

Ai theksoi se kjo është diskutuar me Bashkimin Evropian për më shumë se një vit, por tha gjithashtu se ata nuk kanë gjetur mirëkuptim.

"Do t’u them atyre se ajo që po bëjnë praktikisht do të thotë vdekje për ekonominë në rajon, por do të thotë edhe mbyllje e investimeve të shumta të huaja që veprojnë në rajon, dhe vijnë pikërisht nga vendet anëtare të BE-së. Unë qëllimisht përdor fjalën nga rajoni sepse kjo vlen për të gjithë Ballkanin Perëndimor, jo vetëm për Maqedoninë", tha Nikolloski./Telegrafi/