Ngjarje tragjike në Pensilvani - babai ia fsheh Nintendon, 11-vjeçari e vret të atin

Një rast tragjik ka tronditur komunitetin në Perry County, Pensilvani, ku një djalë 11-vjeçar është akuzuar për vrasje të babait të tij adoptues dhe tani do të përballet me gjykim si i rritur.
Sipas dosjeve të gjykatës, ngjarja ndodhi më 13 janar, natën e ditëlindjes së tij, kur babai i tij 42-vjeçar, Douglas Dietz, u gjet i vdekur në shtëpi me një plagë nga arma e zjarrit, raporton foxnews.
Prokurorët thanë se djali, i identifikuar si Clayton Dietz, kishte qenë duke kërkuar pajisjen e video-lojërave (Nintendo Switch) që i ishte marrë.
Gjatë kërkimit, ai gjeti çelësat e një kasaforte ku ruheshin armët, dhe ndërsa hapi kasafortën mori një revolver, e mbushi me fishekë dhe e qëlloi babanë ndërsa ai ishte duke fjetur.
Pas incidentit, djali thuhet se i tha policisë “E vrava babanë” dhe u arrestua më vonë. Ai u paraqit në gjykatë më 19 shkurt.
Avokati i mbrojtjes ka deklaruar se do të kërkojë që çështja të zhvendoset në gjykatë për të mitur, duke argumentuar moshën e ulët dhe faktorë të tjerë psikologjikë. Megjithatë, prokurorët po e mbajnë atë në sistemin e drejtësisë për të rritur, ku ndëshkimet janë shumë më të rënda.
Rasti ka ndezur debate rreth mënyrës se si sistemi ligjor trajton të rinjtë e përfshirë në krime të rënda dhe është bërë objekt diskutimi në komunitetin lokal. /Telegrafi/





















































