Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në fshatin Gadime e Epërme të Lipjanit, ku një burrë dyshohet se ka sulmuar bashkëshorten e tij me sëpatë.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala, ka konfirmuar për Telegrafin se incidenti po hetohet si “Vrasje në tentativë”, në bazë të nenit 172, paragrafi 1.8 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.


Sipas Shalës, i dyshuari ndodhet ende në arrati.

Ajo ka shtuar se prokurori i shtetit, në koordinim me njësitet e tjera relevante, po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për arrestimin e tij.

Ndërkaq nga Policia e Kosovës kanë njoftuar se i dyshuari është identifikuar dhe po vijojnë procedurat për kapjen e të njëjtit.

“Sot në stacionin policor të Lipjanit, është iniciuar një rast vrasje në tentativë. Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, kanë nisur veprimet hetimore e procedurale, ndërkohë që personi i lënduar (femër) është dërguar për tretman mjekësor. Lidhur me rastin është identifikuar personi i dyshuar i cili është në kërkim nga ana e policisë", tha zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti. /Telegrafi/