LAJMI I FUNDIT:

Ngadalësohet biznesi në Eurozonë

Ngadalësohet biznesi në Eurozonë

Aktiviteti i biznesit në Eurozonë u ngadalësua më shumë se pritshmëritë gjatë muajit qershor, çka sinjalizon se tremujori i dytë i vitit nuk do të konfirmojë hapin e fillim-vitit.


Indeksi PMI që është një ndër indikatorët më të saktë për të kryer projeksionet afat-mesëm dhe afat-shkurtër, fiksohet pranë 52.8 pikëve gjatë këtij muaji, nga 53.1 pikë që ishte në muajin maj.

Pritshmëritë flisnin për një nivel pranë 53 pikëve. Të dhënat tregojnë se, ekonomia e Eurozonës mori mbështetje nga ekonomia globale gjatë kësaj periudhe kohore, ndërkohë që turbulencat dhe pasiguritë politike, kryesisht në Francë dhe Britani kanë krijuar një efekt të kundërt.

Protestat e grupimeve të sindikatave në Francë që prej muajit mars si dhe referendumi britanik për daljen ose jo nga Bashkimi Europian duket se i kanë dhënë një goditje biznesit të rajonit gjatë këtij muaji.

Një tjetër e dhënë negative vjen sa i përket çmimeve. Kompanitë e rajonit kanë shkurtuar sërish çmimet e prodhimit, çka mund të reflektohet edhe në çmimet e konsumit. Indeksi i çmimeve të prodhimit ra nën 50 pikë, që është edhe niveli që ndan rritjen me kontraktimin.

Uljet e çmimeve, karakteristikë për sezonin, dështuan të nxisin aktivitetin e sektorit të shërbimeve, që është sektori më i madh i rajonit.  /Telegrafi