LAJMI I FUNDIT:

Ngadalë po izolohen edhe politikanët e jo vetëm populli!

Ngadalë po izolohen edhe politikanët e jo vetëm populli!

Tash e disa muaj skena politike kosovare po vuan nga mungesa e vizitave të burrështetasëve të huaj, nga vendet evropiane, SHBA-të apo edhe nga vendet e regjionit! Një bojkot i tillë nuk mbahet në mend me vite!

Rëndom për shkak të situatës tendosëse si dhe proceseve të mëdha nëpër të cilin ka kaluar Kosova para dhe pas luftës, vendin tonë e kanë vizituar krerë të mëdhenj shtetesh botërorë, presidentë, kryeministra e ministra, secili me nam e me autoritet më të lartë se tjetri!


Mirëpo, me gjasë, ky trend i vizitave të rëndësishme ka nisur të zvogëlohet, për të mos thënë është ndalur krejtësisht kohëve të fundit!

Dhe, po, ka një arsye pse po ndodh ky bojkot.

Skena politike kosovare nuk ka qenë asnjëherë më e varfër politikisht, moralisht dhe profesionalisht dhe më jokredibile! Presidenca, Kryeministria dhe Kuvendi përfaqësohen sot nga politikanë të cilët, fatkeqësisht, nga bota e jashtme demokratike shihen si një segment i cili më shumë ka dëshmuar të jetë regresive sesa progresive në raport me zhvillimin ekonomik, mirëqenien sociale dhe konsolidimin demokratik të vendit!

Duke mos pasur tjetër shteg kundrejt këtij bojkoti, presidenti, kryeministri dhe kryeparlamentari po vetëknaqen me vizita të ndërsjella tek njëri tjetri dhe, tek-tuk me ndonjë vizitë tek shteti amë Shqipëria dhe anasjelltas!

Besoj se jeni duke i vërejtur vizitat e shpeshta e të ndërsjella që po bëhen kohëve të fundit udhëheqësve/politikanëve kosovarë nga Shqipëria! Krejt kjo po bëhet si shkak i mungesës së pranisë së burështetasëve, zyrtarëve të lartë nga BE-ja dhe SHBA-ja apo edhe nga vendet e regjionit (Ballkani) në Kosovë e jo pse politikanë të caktuar nga Kosova dhe Shqipëria e duan njëri-tjetrin apo pse kanë nevojë apo respekt për njëri-tjetrin!

Çka ju duhen pasaportat diplomatike kur asnjë nga regjioni, Evropa, Amerika apo bota as nuk i pret e as nuk u vjen në vizitë politikanëve tanë, krerëve të shtetit!

Ç’e do t’jesh e t’bëhesh kryeministër apo president kur t’vetmen vizitë në rezidencën presidenciale dhe qeveritare e ke nga politikanët nga Shqipëria dhe nga familjarët e farefisi yt!

Sorrollatja lart e poshtë e udhëheqësve tanë të shtetit në relacionin Presidencë-Qeveri-Kuvend dhe anasjelltas tregon qartë deficitin politik dhe moral që këta politikanë kanë për pjesën tjetër të Ballkanit, Evropës dhe botës!

Izolimi që po u bëhet udhëheqësve tanë shtetërorë, po i bën ata edhe më të egër e më primitivë në raport me popullin sesa që janë me të vërtetë!

Nuk po gjejnë ngushëllim e as arsyetim! Me shumë dëshirë këta do t’i shkonin dikujt në vizitë zyrtare, edhe të paftuar madje, porse vetëm me çmimin e ndonjë fotoje çasti dhe një shtrëngim duarsh dy-tre sekondash me ta! Mirëpo, as kjo nuk po ndodh! As kjo nuk po dhez mâ!

Presidenti do ta kishte ngushëlluar sadopak vetën e tij dhe do t’ishte ndier më pak i izoluar nëse eventualisht bisedimet Prishtinë-Beograd do t’kishin rifilluar! Zaten edhe mbijetesa e tij politike ka qenë e lidhur ngushtë me kompromiset ndaj Serbisë gjithmonë në kurriz të Kosovës dhe banorëve të saj! Por, me gjasë edhe ky e ka kuptuar se nuk ka më kompromise të reja për Serbinë!

Bota, Amerika dhe Evropa deri tash ju kanë dhënë vetëm karotën politikanëve tanë dhe vetëm shkopin popullit që ata përfaqësojnë!

Gjërat po ndryshojnë tashmë!

Shkopinjtë e Evropës, Amerikës dhe botës tashmë adresë të vetme e kanë, përveç popullit, edhe Presidencën, Qeverinë, Kuvendin! Le ta ndiejnë edhe ata pakëz peshën e të qenit të izoluar nga pjesa tjetër e botës!

Politikanë dhe burrështetas të rinj janë në rrugë e sipër!