LAJMI I FUNDIT:

Nga Teatri Kombëtar i Tiranës tek Shën Sofia e Stambollit

Nga Teatri Kombëtar i Tiranës tek Shën Sofia e Stambollit

Në prill 2009, asokohe zëvendëskryeministër, i prija delegacionit shtetëror shqiptar në të dytin Forum Global të Aleancës së Civilizimeve që mbahej në Stamboll. Kjo aleancë, që ndërkohë kishte marrë status zyrtar nga OKB-ja, ishte një iniciativë e kryeministrit turk Erdogan dhe e atij spanjoll Zapatero në vitin 2005 e synonte tolerancë, mirëkuptim e bashkëjetesë jo thjesht paqësore, por mundësisht miqësore midis qytetërimeve, traditave kulturore e fetare të botës.

Propozimi i saj vetëm katër vjet pas sulmit mbi Kullat Binjake në Nju-Jork, profili i dy kryeministrave si dhe elemente të tjera e bënin të qartë se në fokus ishte në radhë të parë raporti midis Evropës e Perëndimit në njërën anë dhe shteteve me popullsi myslimane në anën tjetër. Çdo shtet pjesëmarrës do të adoptonte një plan kombëtar për të nxitur tolerancën, mirëkuptimin e bashkëjetesën miqësore.

Pas një viti e në vijim të kësaj fryme, me Stambollin si Kryeqytet Evropian i Kulturës për vitin 2010, kryeministri Erdogan deklaronte: “Ky është një qytet evropian, me zemrën, kulturën, e qytetërimin e tij, me njerëzit e tij, me të shkuarën e të ardhmen e tij ka shikuar gjithmonë drejt Evropës. Stambolli ka formësuar kulturën evropiane dhe është formësuar prej saj”. 10 vite më vonë, po në Turqi, Këshilli i Shtetit anulon një dekret të Ataturkut që Shën Sofinë, kishën më të madhe e më të famshme të Kostandinopojës, të kthyer në xhami pas pushtimit osman në vitin 1453 e shndërronte në një muze të hapur për tërë. Po atë ditë, presidenti Erdogan, me një dekret të posaçëm ngarkon Dianetin, komitetin për çështjet fetare me rikthimin e Shën Sofisë në xhami si dhe personalisht njofton ditën kur në të do të falet namazi i xhumasë. Më tej akoma, në versionin arabisht të deklaratës, Erdogan shtoi një paragraf që mungonte në atë anglisht ku shpallej se hapi tjetër çlirimtar do të ishte për xhaminë Al Aksa në Jerusalem. Kjo e fundit është nën kontrollin e Izraelit dhe menaxhimin e Jordanisë.


Prej asaj dite debatohet nëse sekularizmi ataturkas i shekullit XX ka më vend në Turqinë fetariste të shekullit të ri, nëse statusi muze a mos ishte profanim për të dyja besimet dhe a mund të kishte përdorim dual të godinës së kultit. Gjithashtu, ngrihet pyetja nëse besimtarëve myslimanë në Turqi u nevojitej me doemos një xhami tjetër kur ekzistueset janë të panumërta si dhe vihet në dukje se edhe të krishterët të paktë në numër kanë shumë kisha funksionale në dispozicion. Por, këto janë çështje për një shënim tjetër. Ajo që rëndon sot është se kthimi i Shën Sofisë në xhami u dënua e kritikua nga pothuaj të gjitha instancat në Evropë, në Perëndim e më gjerë, përfshi edhe nga përfaqësues turq e myslimanë, të cilët besojnë sinqerisht në tolerancën, mirëkuptimin e bashkëjetesën miqësore mes feve e kulturave.

Shën Sofia e Stambollit dhe Teatri Kombëtar i Tiranës dallojnë shumë për nga pesha historike e forca simbolike. E para është botërisht e famshme prej një mijëvjeçari e gjysmë ndërsa CV e plotë e teatrit tonë, që nga themelimi i tij në 1938 si Rrethi Skanderbeg e këtej, për shumë vetë, përfshi autorin e këtyre radhëve, u bë e njohur gjatë debatit për të në dy vitet e fundit.

Ajo që i bën të ngjasojnë është justifikimi i qeverive kundrejt kritikës ndërkombëtare: “Është çështje e brendshme; është domen i sovraniteti kombëtar!” Ndërkohë që në të dyja rastet kemi të bëjmë me veprime që kanë efekte përtej kufijve të shtetit dhe që cenojnë interesa jomateriale evropiane e botërore. Kjo është e dukshme në rastin e Kishës së Stambollit, si dhe u formulua qartë për Teatrin e Tiranës nga kryetari i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Evropian muajin e shkuar kur foli për “shkatërrim të trashëgimisë kulturore evropiane”. Në të dyja rastet qeveritë refuzuan dialogun me grupet e interesit, “stakeholders legjitimë” të brendshëm apo të jashtëm. Përtej këtij refuzimi edhe më e shqetësuese është shkelja e rregullave e impenjimeve ndërkombëtare.

Në vitin 1985 me kërkesë të qeverisë turke, Shën Sofia u përfshi nga UNESCO në Sitet e Trashëgimisë Kulturore. Ky status e bën të detyrueshëm që çdo ndryshim fizik apo ligjor i sitit mund të ndodhë pas konsultimit apo edhe aprovimit ndërkombëtar. Po kështu kompleksi i Teatrit Kombëtar u përfshi sivjet në shtatë sitet kulturore më të rrezikuara të Evropës nga organizata Evropa Nostra, partnerja e parë e Komisionit Evropian në këtë lëmë. Kjo e fundit, pas komunikimeve me qeverinë e me nxitjen e Komisionit Evropian kishte siguruar nga Instituti i Bankës Evropiane të Investimeve edhe fondet për projektin e restaurimit. Por as në Tiranë e as në Stamboll nuk morën mundimin të ndiqnin rregullat ndërkombëtare e të vetëpranuara.

P.S. Edhe një rresht për dallimet midis kishës e teatrit: motivet e qeveritarëve turq duket se janë politiko-elektorale; ato të qeveritarëve të Tiranës janë ekspozuar si kryekëput korruptive. Në Stamboll u veprua me letra, procedura e deklarata, por jo me dhunë fizike. Në Tiranë qeveria sulmoi që pagdhirë me polici e buldozerë aktivistët e ndërtesën historike ngjashëm me talebanët që shkatërruan statujat e Budës në Bamyan, Afganistan.

Në trend

Më shumë
Koci jep detajet e fundit për rastin e Faton Hajrizit: Çdo informacion po e marr me rezervë të madhe

Koci jep detajet e fundit për rastin e Faton Hajrizit: Çdo informacion po e marr me rezervë të madhe

Lajme
Ish-fituesi i Kupës së Botës, Philipp Lahm, jep shtëpi me qira me Airbnb për vetëm 21 euro në natë - ai premton se do të mirëpresë personalisht mysafirët

Ish-fituesi i Kupës së Botës, Philipp Lahm, jep shtëpi me qira me Airbnb për vetëm 21 euro në natë - ai premton se do të mirëpresë personalisht mysafirët

Bundesliga

"Unë jam gjallë, nuk është ende vonë", gjermani i dënuar me vdekje në Bjellorusi kërkon ndihmë përmes televizionit shtetëror

Botë
E nisi me humbje të thellë me Juventusin, këto janë fjalët e Thiago Mottas

E nisi me humbje të thellë me Juventusin, këto janë fjalët e Thiago Mottas

Serie A
“Nuk mu lejua ta shoh kufomën”, avokati Koci tregon çfarë po kërkon policia serbe që ta dorëzojë trupin e Faton Hajrizit

“Nuk mu lejua ta shoh kufomën”, avokati Koci tregon çfarë po kërkon policia serbe që ta dorëzojë trupin e Faton Hajrizit

Lajme
Sondazhi i New York Times - kush po udhëheq, Harris apo Trump

Sondazhi i New York Times - kush po udhëheq, Harris apo Trump

Amerika
Kalo në kategori