Nga Shqipëria drejtonin bandat kriminale në Finlandë, GJKKO merr vendimin për 9 të arrestuarit

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka marrë vendimin për 9 të arrestuarit me urdhër të SPAK në saj të operacionit të zhvilluar pak ditë më parë së bashku me autoritetet finlandeze.
Nga 11 urdhër arreste, 9 u ekzekutuan, ndërsa sot GJKKO njofton se këta shtetas janë lënë në burg.
Konkretisht në burg është lënë ndaj Besnik Spata, Erind Agalliu (alias Teneqexhiu), Altin Musta, Kevin Qevani, Toni Kota (alias Tavani), Geraldo Seferaj, Eltion Myftari, Ledjon Hoxha dhe Dorjan Luzaj, raporton Top Channel.
Ndryshe, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me autoritetet finlandeze po vijon hetimet për veprat penale të “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal ‘Grup i strukturuar kriminal’ si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Procedimi penal është regjistruar pas kërkesës për bashkëpunim, e cila është paraqitur më 21.06.2023 nga Qendra e Policisë për Krime të Finlandës dhe policisë së Lounais-Suomi, lidhur me hetimet të zhvilluara për trafikim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike të rrezikshme në Finlandë, nga grupe të strukturuara kriminale, të përbërë nga shtetas shqiptarë, në bashkëpunim të ngushtë me shtetas të tjerë finlandezë, evropianë dhe aziatikë.






















































