Nga Prishtina… në majat e futbollit italian – Jalen Blesa është një histori që veç sa ka filluar

Jalen Blesa është një nga ato histori futbolli që nisin qetë, larg vëmendjes së madhe, por shpërthejnë papritur dhe marrin formën e një karriere që askush nuk e parashikoi.
Sulmuesi amerikano-spanjoll, në Kosovë zbarkoi te Rahoveci, ku Prishtina e vërejti talentin e tij. Blesa që shkëlqeu te Prishtina, sot është kthyer në një sensacion të Serie B në Itali, ku po udhëheq me gola, minuta dhe paraqitje mbresëlënëse.
Shkëlqimi në Prishtinë – vendi ku nisi ngritja
I panjohur për publikun kosovar kur mbërriti, Blesa u shndërrua shpejt në një pikë referimi në sulm te FC Prishtina. Në vetëm një edicion, 24-vjeçari realizoi 11 gola dhe dhuroi 4 asistime, duke u bërë një nga lojtarët më produktivë të skuadrës.
Aftësia për të lëvizur mes vijave, shpejtësia dhe finalizimi i saktë e bënë të dukej si një sulmues i përmasave më të mëdha se kampionati vendor.
Pikërisht këtu ai mori vëmendjen e skautëve evropianë – dhe hapi i parë jashtë Kosovës erdhi shpejt.

Rumania, kapitulli më i shkurtër, por vendimtar
Në shkurt të vitit 2024, Blesa u transferua te Universitatea Craiova për 165 mijë euro. Por aventura rumune zgjati pak dhe ishte tejet e ftohtë: vetëm 109 minuta në 4 ndeshje, pa gol dhe pa asist. Në verë, pas një huazimi në Gjeorgji, trajneri Mirel Radoi vendosi të hiqte dorë prej tij.
Dukej sikur investimi i Craiovas kishte dështuar dhe se Blesa ishte një “bast i humbur”. Por pikërisht këtu nisi kthesa.

Gjeorgjia – rikthimi i formës
I huazuar te Dinamo Batumi, sulmuesi pati një sezon të shkëlqyer: 9 gola në 28 ndeshje, paraqitje vendimtare në kualifikime të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Konferencës.
Ishte sinjali i parë se kualiteti i tij po rikthehej – dhe se aventura e dështuar në Rumani nuk ishte fundi.

Italia, shpërthimi i madh – Blesa bëhet hit i Serie B
Pas largimit nga Craiova, Blesa nënshkroi me Cesenën, një emër historik në futbollin italian. Dhe sot, në Serie B, ai është kthyer në një sensacion të vërtetë.
Në 14 ndeshjet e para të sezonit, 4 gola, paraqitje titullari dhe një nga surprizat e kampionatit.
Cesena ndodhet në zonën e play-off-it dhe po lufton seriozisht për ngjitje në Serie A – ku Blesa është bërë një nga lojtarët kyç, me klubin që ia ka rinovuar kontratën deri në vitin 2028.

Kur mbërriti në Banie, ai vlente 250,000 euro. Sot, sipas Transfermarkt, vlera e tij ka trefishuar, duke arritur në 750,000 euro. Rritje që pasqyron formën, golat dhe ndikimin e tij në Itali.
Nëse vazhdon me këtë ritëm, shumë shpejt emri i tij do të dëgjohet në Serie A, me klubet që kanë filluar interesimin. /Telegrafi/



































