LAJMI I FUNDIT:

Nga prindër të dorëzuar nuk mund të lindin studentë të revoltuar!

Nga prindër të dorëzuar nuk mund të lindin studentë të revoltuar!

Elona Caslli

Mbrëmja e djeshme, e cila përkonte me ceremoninë e diplomimit të studentëve në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë, do të na përballte me një student të revoltuar përballë kryeministrit të vendit. Duke qenë se për arsye të caktuara, m’u desh të isha e pranishme në këtë mbrëmje, e quaj të nevojshme të shkruaj dy fjalë.


Pata mundësinë të lexoja qëndrime të ndryshme mbi ngjarjen e djeshme. Pjesa dërrmuese e mendimeve gjykonin studentët e tjerë, që nuk iu bashkuan revoltës që u ngrit nga student, i cili u nxor jashtë.

Së pari, isha ulur krejt larg studentit të revoltuar dhe nuk mund ta dëgjoja kthjellët përmbajtjen e revoltës së tij. Më vonë lexova se revolta e tij ishte përqendruar tek fakti se shumë studentëve që diplomoheshin u duhet ta përdorin diplomën si biletë arratisjeje drejt një vendi tjetër. Revolta e studentit përmban në thelb të vërtetën tragjike të kombit shqiptar. Në këtë vend, kur thua të vërtetën, ndodhin veçse dy gjëra; ose të dëbojnë ose të etiketojnë si të sëmurë mendor ose njeri me probleme.

Le të rikthemi tek thelbi i këtij shkrimi: Pse nuk iu bashkuan revoltës studentët e tjerë? Kjo ishte pyetja që u shtrua mbrëmë.

Sipas mendimit tim, për të cilin jam krejt e vetëdijshme, që ka kufijtë përkatës në përmbajtje dhe cilësi, pyetja duhet të shtrohet tjetërkund: Pse nuk iu bashkuan revoltës prindërit që ishin në sallë?!

Hamendësoj që mbrëmja e diplomimit të fëmijës, për çdo prind është një mbrëmje krejt e veçantë, pasi aty përmbushet jo veçse përkushtimi i fëmijës, por edhe përkushtimi i tij si prind. Një prind duhet të ndihet krenar në këtë mbrëmje, pasi ia ka dalë mbanë që t’i dhurojë shoqërisë një specialist në një fushë të caktuar. Pra, detyra e tij si prind është përmbushur. Nëse dikur një prind shqiptonte fjalinë: “E nxora fëmijën tim në jetë”, në ditët e sotme kjo fjali është zëvendësuar me fjalinë: “E nxora fëmijën tim në Gjermani”. Sepse, jeta projektohet gjithkund, veçse në Shqipëri jo dhe sikundër do të shprehej me të drejtë studenti i revoltuar: “Diploma është veçse një biletë arratisjeje për në Gjermani”.

Prindërit që ishin dje në mbrëmjen e diplomimit, heshtën. Heshtën, sepse po mbështesin me vullnet të plotë arratisjen e bijve të tyre. Mjafton vetëm një fakt për të kuptuar situatën; pjesa dërrmuese e studentëve të Universitetit të Mjekësisë janë në kursin e gjuhës gjermane. Ky kurs mbështetet financiarisht nga prindërit e tyre. Gjuha gjermane bashkë me diplomën përbëjnë biletën e arratisjes.

Revolta e mirëfilltë duhet të lindë nga prindërit, por për fatin tonë të keq, prindërit janë të dorëzuar. Të dorëzuar pasi ky vend u duket krejt i pashpresë dhe janë gati të ndahen nga fëmijët e tyre, vetëm që këta të fundit mos ta ndërtojnë jetën e tyre në këtë vend. Ndonëse Kryeministri orvatet të na e servirë shpopullimin e vendit thjesht si dëshirë e individit për të jetuar diku gjetkë, dihet fare mirë që arratisja nga ky vend vjen nga mungesa e shpresës dhe sigurisë brenda tij. Ndaj, nuk u çudita aspak, që ai student i revoltuar u gjend krejt i vetëm dhe u mbështet veçse nga duartrokitjet e shokëve të tij. Nuk mund të revoltohen ata që kanë prerë biletën e arratisjes, sikundër as nuk mund të gjykohen!

Post Scriptum: Nga prindër të dorëzuar nuk mund të lindin studentë të revoltuar.