Para ndeshjes kundër Kosovës, në kuadër të kualifikueseve për Kampionatin Botëror 2026, përzgjedhësi i Suedisë, danezi Jon Dahl Tomasson, foli për gjendjen e skuadrës së tij dhe për ekipin tonë.

Ai u pyet edhe për talentin shqiptar, Besfort Zeneli, i cili ka zgjedhur nga Kosova të kalojë te Suedia.


“Besfort Zeneli ka qenë në formë të mirë kohëve të fundit. Është i ri, kam folur me të dhe i kam thënë se dua të shoh edhe më shumë prej tij. Po zhvillon një sezon të shkëlqyer në klubin ku luan”, deklaroi Tomasson.

Duke folur për Kosovën, përzgjedhësi suedez nuk kurseu vlerësimet, por mendon vetëm për objektivat e Suedisë.

“Kosova është një ekip i shkëlqyer, e do futbollin dhe ka ide të qarta për lojën. I pëlqejnë pasimet e shkurtra dhe e kemi parë edhe në Ligën e Kombeve se ka treguar paraqitje të mira. Megjithatë, ne jemi të përqendruar tek objektivat tanë”, ka thënë Tomasson.

Tomasson foli edhe për Alexander Isak, duke deklaruar se nuk do ta rrezikojnë, pasi ka vetëm pesë stërvitje.

“Para ndeshjes me Slloveninë pati vetëm tre seanca stërvitore, ndërsa tani ka zhvilluar pesë të tilla. Në atë ndeshje, nëse rezultati do të ishte 1-1, me siguri do të aktivizohej. Por tani duhet të shohim edhe aspektin afatgjatë, jo vetëm atë afatshkurtër”, nënvizoi danezi që udhëheq Suedinë.

Përzgjedhësi Tomasson theksoi rëndësinë e fokusit të plotë dhe disiplinës taktike, duke nënvizuar se ekipi suedez do të kërkojë të zhvillojë lojë kontrolluese dhe të minimizojë gabimet në mbrojtje.

Ndeshja Kosovë – Suedia zhvillohet të hënën në orën 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app