Nga lufta në lavdi – Kostyshyn, ukrainasi që i solli fat Dritës për titullin e katërt në histori

Nga realiteti i luftës në Ukrainë, drejt një suksesi të madh në Kosovë. Kjo është rruga e Denys Kostyshyn, futbollistit ukrainas që iu bashkua Dritës në afatin kalimtar të janarit dhe kontribuoi fuqishëm në rrugëtimin drejt titullit të katërt kampion në histori për klubin nga Gjilani.
27-vjeçari e nisi karrierën në akademinë e Dynamo Kyiv dhe më pas debutoi për ekipin e parë të Dnipros në vitin 2017. Në Ukrainë ka mbrojtur edhe ngjyrat e Kolos Kovalivka dhe Oleksandriya, derisa për një periudhë të shkurtër ishte pjesë e skuadrës amerikane El Paso.
Megjithatë, ishte Drita ajo që e priti me krahë hapur dhe i dha vendin për të shfaqur veten në skenën e futbollit kosovar.
Në një intervistë për Telegrafin, mesfushori ofensivë ka folur për aventurën e tij në Kosovë, pritjen që i është bërë te Drita, luftën në Ukrainë, objektivat që ka me klubin gjilanas dhe jetën që po kalon në qytetin e Gjilanit.
“Isha në Turqi në përgatitje me Oleksandriyan, ku bisedova me klubin dhe vendosëm që ishte koha për të vazhduar më tej. Fola me trajnerin kryesor për ftesën nga Drita dhe ai më përkrahu shumë në këtë vendim. U ndamë në një marrëdhënie shumë të mirë, dhe dua të them fjalët më të mira për trajnerin dhe klubin. Faleminderit për gjithçka", tha Kostyshyn.
Kostyshyn erdhi në Kosovë me një synim të qartë të luante dhe të ndihmonte Dritën për ta rikthyer titullin pas pesë viteve mungesë dhe këtë e bëri në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kontribuar me tre gola dhe tre asistime në fazën e dytë të sezonit.
“Qëllimi im ishte të luaja. E dija që këtu ishte një grup shumë i mirë me futbollistë cilësorë. Kur u stërvita për herë të parë me ta, e pashë vetë këtë. Ekipi ynë ka lojtarë shumë të mirë".
“Jam shumë i lumtur këtu. Ky është kampionati im i parë dhe jam i lumtur që munda të ndihmoja skuadrën. Ishte diçka magjike të bëhesha kampion me këtë ekip", tha Kostyshyn për Telegrafin.
Për Kostyshyn, përshtatja në Kosovë ka qenë më shumë se thjesht profesionale, ajo ka qenë edhe personale pasi ka mbetur i mahnitur me pritjen që i është bërë në klubin bardhekaltër.
“Jam pritur shumë mirë. Djemtë më kanë pranuar me shumë ngrohtësi. Janë njerëz shumë të sjellshëm dhe plot humor. Jetoj këtu me të fejuarën time dhe qenin tonë, Barni. Zgjohemi, dalim për shëtitje, pimë kafe në ndonjë kafene, më pas shkoj në stërvitje. Ndonjëherë shkojmë në palestër me Lerën (e fejuara), pastaj kthehemi në shtëpi. Bëjë rikuperim me akull dhe hamë darkë. E fejuara ime gatuan shumë mirë, jam shumë i lumtur". vazhdon tutje Kostyshyn.
Ndonëse larg familjes, Kostyshyn nuk e harron asnjëherë prejardhjen dhe ata që e kanë formuar si njeri dhe si lojtar. Denys është djali i trajnerit të njohur ukrainas Ruslan Kostyshyn i cili aktualisht drejton klubin ukrainas Kolos Kovalivka.
“Po, babai im është trajneri kryesor i FC Kolos Kovalivka. E respektoj shumë dhe më mungon shumë, ashtu si edhe gjithë familja ime. Futbollin e kemi në gjene si familje dhe unë jam rritur duke parë babanë duke luajtur”, tha Kostyshyn.

Megjithatë, ai është rrethuar nga një atmosferë pozitive në dhomën e zhveshjes së Dritës, ku thekson lidhjen e fortë me bashkëlojtarët.
“Në karantinë kur jemi jamë në dhomë me Dereck Bonsu, komunikoj shumë me të. Shpesh më ndihmojnë me gjithçka Faton Maloku dhe Melos Zenunaj. Shumë shpesh bëjmë shaka me Kastriot Selmanin dhe Veton Tushën. Me Shejin humbas shpesh Red Bull dhe Kinder në lojën ‘2 prekje' në stërvitje. Roni është një kapiten i vërtetë dhe ka një zemër të madhe. Me Mesan dhe Dabin mund të flas për gjithçka. Kam bashkëlojtar të mrekullueshëm, i dua shumë", tha mesfushori ukrainas për bashkëlojtarët e tij.
Edhe pse shumë e shohin si një 'fatsjellës' për Dritën, Kostyshyn i njeh meritat stafit teknik dhe gjithë punës që është bërë gjatë sezonit.
"Nuk mendoj se jam thjesht me fat. Pas këtij suksesi qëndron shumë punë nga trajneri dhe ndihmësit e tij. Ky është një shpërblim i merituar për përkushtimin e tyre. Presidenca, trajneri dhe lojtarët e kanë jetuar këtë kampionat. E ndjeva që nga dita e parë kur erdha", tha Kostysyhyn.
Ai para se të vinte në Kosovë kishte dëgjuar për klubet kosovare, pasi ishte përballur shpesh herë në fazën përgatitore në Turqi kur ishte pjesë e klubeve ukrainase në ndeshje miqësore.
Megjithatë ai thtoë se dallimi nuk është i madh mes kampionatit kosovar dhe atij ukrainas, derisa përmend edhe dy yjet e Kosovës që shkëlqejnë në Ukrainë.
"Kam dëgjuar shumë për klubet kosovare. Kemi luajtur shpesh kundër tyre në kampet në Turqi dhe gjithmonë kanë qenë ndeshje të vështira".
“Muharrem Jasharin e konsideroj një nga mesfushorët më të fortë në Ukrainë. Krasniqi po ashtu është në formë shumë të mirë te Kolosi. Janë për t’u përgëzuar. Dallimi nuk është shumë i madh mes dy kampionateve, pasi edhe këtu është futboll i vështirë”, tha Kostyshyn.
Megjithëse i larguar nga vendi i tij për shkak të një lufte të egër, Denys Kostyshyn është gjithmonë me mendje dhe zemër në Ukrainë. Ai tregon se disa javë më parë e kishte edhe nënën për vizitë në Gjilan.
“Po, lufta vazhdon dhe është shumë e pasigurt situata në Ukrainë. Rusia po bën gjithçka për të vrarë sa më shumë njerëz në Ukrainë, por ne kemi njerëz shumë të fortë. Jam krenar për vendin dhe popullin tim”.
“Nëna ime ishte këtu për dy ditë. Erdhi për një ndeshje. Kaluan ditë shumë të bukura së bashku", përfundoi Kostyshyn që ndër të tjera tha se synon që me Dritën të ketë suksese edhe në arenën evropiane.
Në Gjilan, Denys Kostyshyn nuk është vetëm një lojtar i huaj që ndihmoi Dritën për titullin, është një histori suksesi, një frymëzim, një dëshmi se edhe nga lufta mund të dalësh në lavdi. /Telegrafi/






















































