Nga fushat e betonit dhe dorezat e boksit të periferive në Ligën e Kampionëve: Historia inspiruese e Ibrahim Mbayes

I rritur në periferitë parisiene të Trappes, Ibrahim Mbaye gjithmonë është përballur me lojtarë më të mëdhenj në moshë. Nga palestra ku stërvitej me të atin, deri te fusha e vogël prej betoni në qytetin e lindjes ku luante me vëllain e madh, ai kurrë nuk u ndal së sfiduari vetveten.
“Boksi të mëson disiplinën, të mësosh si t’i rezistosh goditjeve dhe të qëndrosh në këmbë. Futbolli të mëson si ta shndërrosh atë forcë në shpejtësi dhe teknikë”, kishte deklaruar ai.
Qoftë me doreza boksi apo me një top futbolli në këmbë, çdo ditë Mbaye mësonte të përballej me jetën duke zbatuar mësimet e palestrës në fushë dhe anasjelltas. Ato ditë të kaluara mes lojës e sfidës e kanë formësuar atë, dhe tani, edhe pse shpesh është më i vogli në fushë, të tjerët duhet të ndjekin ritmin e tij.
Ai debutoi si titullar në Ligue 1 në moshën 16 vjeç e gjysmë, duke u bërë lojtari më i ri që ka debutuar ndonjëherë për PSG-në. Sot, rreth një vit më vonë, Luis Enrique i ka dhënë një vend titullari në Ligën e Kampionëve kundër Barcelonës. Ja, pra ku ka arritur Ibrahim Mbaye, “ylli i ri i ndritshëm” i PSG-së.

Nga ringu në fushë, nga dorezat te këpucët
Në familjen Mbaye, boksi nuk është thjesht sport – është një kulturë, një shkollë jete. Souleymane, babai i Ibrahim, tre herë kampion i Francës, përpiqet t’ua përcjellë fëmijëve të tij këmbënguljen, qëndrueshmërinë dhe disiplinën. Ibrahim u rrit në palestrën e të atit, ku përthithi frymën e punës së madhe dhe të sakrificës. Por pasioni i tij më i madh gjendej diku tjetër.
Vëllai i madh shpesh e merrte me vete për të luajtur futboll në lagje. Edhe pse më i vogli në grup, Ibrahim shpejt kuptoi se gjithçka që kishte mësuar në ring mund ta përdorte në fushë.
Ai hoqi dorezat dhe veshi këpucët e futbollit, duke treguar forcë e karakter që e bënin të duket si më i madh se të gjithë.

PSG dhe ëndrra e madhe
PSG e kuptoi shpejt se Ibrahim kishte diçka të veçantë. Në moshën 10-vjeçare e sollën në akademinë e tyre. I mësuar të përballej me lojtarë më të mëdhenj, ai shumë shpejt doli mbi nivelin e bashkëmoshatarëve të tij dhe u bë lojtari që të gjithë donin në ekip.
Luis Enrique, që di të dallojë talentin, u impresionua menjëherë. Në fillim të sezonit të kaluar, në moshën 16 vjeç e gjysmë, i dha mundësinë të luante nga minuta e parë, duke e bërë debutuesin më të ri në historinë e PSG-së. Sot, pas një sezoni të plotë, ai ka marrë një tjetër shenjë respekti: një vend titullari në ndeshjen e madhe të Ligës së Kampionëve kundër Barcelonës.
E gjitha kjo nuk është rastësi, por shpërblim i sakrificave, i këmbënguljes dhe i talentit që e ka kultivuar çdo ditë – nga palestra e babait te fushat e betonit.
“Asnjë qëllim nuk është aq larg sa puna e madhe të mos mund ta arrijë”, thotë shpesh i ati i tij. Dhe Ibrahim po e dëshmon këtë.

“PSG është klubi i jetës sime, jam krenar që mbaj këtë fanellë”, ka deklaruar ai. /Telegrafi/




















































