Nga 24 në 120 bursa këtë vit– Aliu: Kur ka vullnet dhe angazhim, ëndrrat bëhen realitet

Komuna e Shtimes ka ndarë 120 bursa për studentët në shtime për vitin akademik 2025/2026, në një ceremoni të mbajtur në ambientet e Bibliotekës së Qytetit, ku u nënshkruan kontratat me përfituesit e këtij viti.
Kryetari i Komunës së Shtimes Qemajl Aliu e cilësoi ndarjen e bursave si një nga momentet më të veçanta të mandatit të tij, duke theksuar se investimi në arsim është investimi më i rëndësishëm për të ardhmen e komunës.
“Për të tretin vit radhazi po ndajmë pesëfish më shumë bursa për studentët e Shtimes. Kur morëm mandatin në vitin 2021 ndaheshin vetëm 24 bursa, ndërsa sot janë plot 120. Kjo është dëshmi e qartë se kur ka vullnet, angazhim dhe përkushtim, premtimet shndërrohen në vepra konkrete. Do të vazhdojmë ta mbështesim rininë tonë, sepse suksesi i studentëve tanë është suksesi i Shtimes dhe garancia për një të ardhme më të mirë”, tha Aliu.
Duke iu drejtuar studentëve, ai i inkurajoi që të shfrytëzojnë maksimalisht vitet e studimeve dhe të përkushtohen në profesionet që kanë zgjedhur.
“Ju presin edhe tre, katër apo pesë vite studimi, varësisht nga profili që keni zgjedhur. Kjo është periudha kur duhet të akumuloni sa më shumë dije përmes studimit dhe leximit. Qoftë në mjekësi, juridik, gjuhë gjermane apo në çdo fushë tjetër, angazhohuni maksimalisht, sepse dija është kapitali më i madh që mund të fitoni”, u shpreh ai.
Aliu foli edhe për rëndësinë e Bibliotekës së Qytetit, ku u zhvillua ceremonia, duke kujtuar se një bibliotekë moderne kishte qenë një nga synimet e tij prej kohësh.
“Kam pasur gjithmonë ëndërr që Shtimja ta ketë një bibliotekë moderne. Sot të rinjtë dhe të rejat e Shtimes kanë një ambient dinjitoz për të lexuar, për të mësuar dhe për t’u zhvilluar. Kjo është një vlerë e madhe për qytetin tonë”, deklaroi kryetari.
Shefi i Sektorit të Arsimit në Komunën e Shtimes, Lulzim Sahiti, tha se interesimi i madh për programin e bursave dëshmon potencialin dhe përkushtimin e të rinjve ndaj arsimit.
“Të gjithë studentët janë meritorë. Interesimi i madh për këtë program tregon qartë potencialin e të rinjve shtimjanë dhe përkushtimin e tyre ndaj dijes. Urojmë që kjo bursë t’u shërbejë si mbështetje dhe motivim për të arritur rezultate edhe më të larta në studime”, tha Sahiti.
Në emër të përfituesve, studentët shprehën mirënjohje për mbështetjen e Komunës së Shtimes, duke vlerësuar se bursa komunale do t’i ndihmojë në përballimin e shpenzimeve të studimeve dhe do të jetë një motiv shtesë për sukses akademik. /Telegrafi/


































