LAJMI I FUNDIT:

NEWBORN edhe këtë vit me pamje unike

NEWBORN edhe këtë vit me pamje unike

Monumenti i pavarësisë NEWBORN do të vijë sërish me pamje të re për Ditën e Pavarësisë së Kosovës, duke reflektuar një nga temat më të diskutuara në vend dhe në mbarë botën – inteligjencën artificiale.

Ideatori i këtij monumenti, Fisnik Ismaili, ka theksuar se përmes ngjyrosjes së NEWBORN-it, ata synojnë të përfaqësojnë Kosovën me tema aktuale ndër vite. Sivjet, fokusi është tek inteligjenca artificiale, një teknologji që po ndryshon mënyrën se si funksionon shoqëria moderne.

“Po si çdo vjet monumenti NEWBORN ka një temë e cila përfshin Kosovën në botë duke filluar kur e kemi bërë për ngrohjen globale, për të drejtat e grave, dhunimet ndaj grave. Të gjitha gjërat që kanë ndodhur në Kosovë, ne mundohemi përmes NEWBORN-it me i paraqit si diçka që e bën Kosovën pjesëmarrëse në botë. Këtë vit ideja ka dalë në moment të fundit. Gjithmonë e bëjmë një analizë, mundohemi të gjejmë diçka aktuale. Për momentin nuk ka asgjë më aktuale se inteligjenca artificiale mënyra se si ajo po bëhet pjesë integruese e jetës. Deshe apo jo, është e pashmangshme. Është mirë t’ua rikujtosh njerëzve se është ndihmesë, por edhe paraqet rreziqe të cilat nuk dimë”, ka deklaruar Ismaili.


Punimet për transformimin e monumentit nisën të premten, dhe pritet të përfundojnë të dielën. Ndërsa më 17 shkurt, në mëngjes do të realizohen fotografitë zyrtare, pas çka qytetarët do të kenë mundësinë ta nënshkruajnë monumentin.

“Dje kemi filluar sepse janë disa shtresa që duhen ngjyrosur, shtresa e parë është përfunduar, sot po përfundohet shtresa e dytë dhe nesër të dielën e përfundojmë, NEWBORN është i qytetarëve, çdo mëngjes të pavarësisë ne dalim të bëjmë një foto se si ka dalë pasi që menjëherë njerëzit shkojnë ta nënshkruajnë dhe ia ndërrojnë pamjen… NEWBORN është yni për rreth gjysmë ore, pastaj bëhet i juaji (qytetarëve)”, tha ai.

NEWBORN (i sapolindur) është shndërruar në një atraksion turistik që kur u ekspozua për herë të parë me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Monumenti simbolizon shtetin më të ri në Evropë. /kp/Telegrfi/