LAJMI I FUNDIT:

Nëntë vjet burgim më pak për Gruevskin

Nëntë vjet burgim më pak për Gruevskin

Ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski, i duhet të vuajë vetëm tre vjet e gjysmë burgim nga 25 vjet e gjysmë sa është dënuar për vepra të ndryshme penale gjatë qeverisjes së tij nga viti 2006 deri në vitin 2016.

Nikolla Gruevski është arratisur në Hungari në vitin 2018, pas ndjekjes nga organet gjyqësore maqedonase për shpërdorim të detyrës zyrtare.


Gjykata e Apelit, të hënën ka vendosur ndërprerjen e të gjitha procedurave për rastin “TNT”, që ka të bëjë me shembjen e një objekti afarist në vitin 2011, për shkak të vjetërsimit të lëndës.

Për këtë vepër Nikolla Gruevski ishte dënuar me 9 vjet burgim, nën akuzën për shpërdorim të detyrës dhe rrënimin e objektit si hakmarrje politike. Vlera e dëmit të shkaktuar llogaritet të ketë qenë rreth 11 milionë euro.

Fijat Canoski, pronar i këtij objekti të rrënuar, ka akuzuar organet gjyqësore për manipulim të procesverbalit me qëllim shpëtimin e Gruevskit.

“Gruevski dhe mafia janë përgjegjësit kryesorë për rrënimin e objektit, ndërsa gjykata ka bërë shpërdorim të detyrës duke falsifikuar procesverbalin e aktvendimit gjyqësor. Kanë lënë boshllëqe që gjatë ankesës në shkallën e dytë të mundet gjykimi ose të anulohet ose të vjetërsohet. Ky shpërdorim është bërë nga shumë njerëz gjatë procedurës në shkallën e parë, por edhe në Apel”, ka thënë Canoski.

Me shtatë vjet burgim ish-kryeministri Gruevski ishte dënuar për disa parcela tokë ndërtimore në një zonë atraktive në malin “Vodno” të Shkupit, por edhe kjo lëndë është në gjykim të shkallës së dytë të Apelit dhe me ndryshimet në Kodin Penal pritet të vjetërsohet.

Me gjashtë vjet burgim ai është dënuar për shpërdorimet për ndërtimin e selisë së OBRM-PDUKM-së në qendër të Shkupit, por kjo lëndë është në procedurën e vlerësimit në Gjykatën e Apelit.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski ka hedhur poshtë akuzat se pas vendimeve të gjyqësorit qëndrojnë partitë në pushtet me qëllim kthimin e Nikolla Gruevskit në Maqedoninë e Veriut për qëllime politike, konkretisht për ndërhyrjen e tij në OBRM-PDUKM për sigurimin e mbështetjes së tij për ndryshimet kushtetuese.

Kovaçevski ka thënë se nuk i komenton vendimet gjyqësore, por, sipas tij, Gruevski duhet të kthehet në Shkup që të përballet me akuzat për shpërdorim të detyrës.

“Sa i përket temës aktuale për kthimin e ish-kryeministrit Nikolla Gruevki, mendoj se është një temë e pavend. Nga pikëpamja juridike ka urdhër për kthimin e tij dhe ai duhet të kthehet që të përballet me drejtësinë, sipas ligjeve maqedonase dhe sipas asaj që është miratuar nga autoritetet e pavarura gjyqësore”, ka deklaruar Kovaçevski.

Por, partitë opozitare të Frontit Evropian për Ndryshim, thonë se të gjitha vendimet e gjyqësorit kanë për qëllim kthimin në Maqedoninë e Veriut të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski dhe shpëtimin nga ndjekja të ish-bashkëpunëtorëve e të tij.

“Nuk duhet të jesh as analist e as politikan për ta kuptuar që ky ndryshim i Kodit Penal u bë vetëm dhe vetëm në shërbim të Gruevskit, Mijallkovit, Jankullovskës e të tjerëve si ata. Rezultati është në pah. Përpiqen që gjithçka të justifikojnë me integrimin evropian, kurse qytetarët nuk përfitojnë asgjë përveç amnistisë së kriminelëve”, ka deklaruar Fatmir Sabriu nga Fronti Evropian për Ndryshim.

Paraprakisht Gjykata e Apelit ka shfuqizuar edhe një lëndë për shpërdorim të detyrës nga ana e Nikolla Gruevski për ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër.

Për këtë vepër, ai pritej të dënohej me së paku shtatë vjet burgim për shkak të dëmtimit të buxhetit të shtetit për 155 milionë euro.

Ndërkaq në fuqi mbetet vetëm dënimi për shpërdorim të detyrës për furnizimin e qeverisë me një makinë luksoze në vlerë prej 600 mijë eurosh, për të cilën vepër Gruevski ishte dënuar me dy vjet burgim.

Në fuqi mbetet edhe një gjykim tjetër për dhunën e ushtruar në një komunë të Shkupit ndaj një zyrtari opozitar që ishte bërë me urdhër të Nikolla Gruevskit dhe ai ishte dënuar me 18 muaj burgim.

Ish-kryeministri maqedonas po përballet edhe me dy gjykime tjera për dhunën në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, më 27 prill 2017 dhe ndërhyrjen në proceset zgjedhore.

Këto vepra nuk përfshihen në ndryshimet në Kodin Penal, por ai synon që nga gjykimi për to të “shpëtojë” me kthimin eventual të vendimit për falje të miratuar nga ish-presidenti maqedonas, Gjorge Ivanov, më 12 prill 20216, kur i kishte falur të gjitha zyrtarët e akuzuar për vepra të ndryshme penale.

Përveç dënimeve me burgim, atij, me vendime gjyqësore të formës së prerë i është sekuestruar edhe pasuria për dëmet që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit për disa miliona euro.

Por, Agjencia për Menaxhim me Pasurinë e Sekuestruar e Maqedonisë së Veriut ende nuk ka nisur procedurën për shitjen e pronës së tij.

Ekspertët juridikë kanë tërhequr vërejtjen që institucionet të kenë kujdes me sekuestrimin pasi në rast të lirimit nga të gjitha gjykimet, Gruevski mund të kërkojë kthimin e pronave./REL/