Nëntë të lënduar nga aksidenti mes katër veturave në Istog

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në fshatin Vrellë të Istogut, ku nëntë persona kanë mbetur të lënduar.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi, tha për Telegrafin se në aksident janë përfshirë katër vetura.
“Rreth orës 22:00 kemi pranuar informacion për një aksident trafiku, ku janë përfshirë katër vetura. Nëntë persona janë lënduar,” tha ai.
Ndërsa, lidhur me rastin, Spitali i Përgjithshëm në Pejë njofton se dy prej të lënduarve janë dërguar në QKUK, pasi janë në gjendje të rëndë.
"Mbrëmë, rreth orës 23:00, në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë janë pranuar nëntë persona me lëndime të marra nga një aksident trafiku. Pas ekzaminimeve dhe trajtimit mjekësor: Dy pacientë janë transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, njëri prej tyre në gjendje të rëndë.Dy pacientë janë duke u trajtuar në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë. Pesë pacientë, pas trajtimit, janë liruar për në shtëpi", thuhet në njoftim.
Tutje, thuhet se ekipet mjekësore të spitalit kanë ofruar menjëherë ndihmën e nevojshme dhe trajtimin profesional për të gjithë të lënduarit. /Telegrafi/









































