LAJMI I FUNDIT:

Nënshkruhet marrëveshje mes kompanive kosovare dhe serbe, produktet do të shiten në Serbi me mbishkrimin “Made in Kosova”

Nënshkruhet marrëveshje mes kompanive kosovare dhe serbe, produktet do të shiten në Serbi me mbishkrimin “Made in Kosova”

Marrëveshja e nënshkruar sot mes një kompanie kosovare dhe një kompanie serbe e cila kap vlerën e 1 milion eurove, mundëson që produktet e Kosovës të shiten në Serbi me mbishkrimin “Made in Kosova”.

Kështu ka thënë kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini.


Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) dhe Agrokosova Holding nga Suhareka realizuan  aktivitetin “Vjelja e Rrushit Kosova 2020” me moton “Unë konsumoj produkte vendore, Po JU?”, ku të pranishëm ishin shumë biznese, përfaqësues të qeverisë dhe kryetari i komunës së Suharekës, Ragip Begaj.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha me këtë rast se prodhuesit vendor po fuqizohen dita ditës si dhe është rritur vetëdija për konsumim të produkteve vendore, ndërsa me nënshkrimin e marrëveshjes së sotme e cila kap vlerën 1 milion euro, produktet e Kosovës në Serbi do të paraqiten si “Made in Kosova.

“Sot po fillojmë më ndryshe se viteve të kaluara për shkak të pandemisë dhe prandaj ky aktivitet ka të bëjë me promovimin, punësimin dhe eksportin dhe nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet kompanisë kosovare dhe asaj nga Serbia. Kjo është marrëveshja e parë në mes bizneseve kosovare dhe atyre serbe pas nënshkrimit të Marrëveshjes në Uashington në Shtëpinë e Bardhe në mes Kosovës, Serbisë dhe SHBA për rritjen e bashkëpunim ekonomik në mes subjekteve ekonomike të këtyre shteteve. Marrëveshja e sotme kap vlerën  rreth 1 milion euro, e që në Serbi do të paraqitet si “Made in Kosova”, tha Shahini.

Sipas tij,  institucionet e vendit duhet të bëjnë më shumë sa i përket rimëkëmbjes ekonomike në kohë të pandemisë. Sektori privat nuk rritet me deklarata mediale, por rritet me ndihma të drejtpërsëdrejta.

“Për herë të parë në histori ka nevojë për ndihmë sektori privat që çuditërisht Kuvendi po heziton që t’i implementoj disa ligje që ka të bëjë me rimëkëmbje ekonomike dhe me ratifikim të disa marrëveshje që kanë të bëjnë me sektorin privat”, tha Shahini.

E pronari i “Agrokosova Holding”, Haziz Tafaj, tha se kanë investuar në ruajtjen e traditës, duke investuar në teknologji të re.

Ai më tej shtoi se produktet e tyre eksportohen në shumë shtete të botës dhe se janë vlerësuar për cilësi.

“Gjendemi në kohën e vjeljes së rrushit dhe asaj të verës ku së bashku më komunën e Suharekës organizojmë festivalin e vjeljes, por këtë vit për shkak të pandemisë nuk kemi mundur ta organizojmë në mënyrë tradicionale. Kompania jonë njihet në mbarë botën sepse eksportojmë dhe jemi krenar që prodhimet tona pëlqehen dhe vlerësohen. Si ndërmarrje kemi investuar shumë në ruajtjen e traditës, në krijimin e plantacioneve të reja dhe përveç që vitin e kaluar që ka investuar shumë në teknikë, jemi duke investuar shumë edhe në inovacione tjera”, tha ai.

Kurse kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, tha se Suhareka njihet si vendi i kultivimit të hardhisë së rrushit, dhe në pozitën time si Kryetar i kësaj komune  jam në anën e bizneseve dhe do të jem çdo herë “E kam një apel për Kuvendin e Kosovës që sa më shpejt t’i aprovojnë ligjet që kanë të bëjnë më rimëkëmbje ekonomike që ka nevojë gjithë komunat e Kosovës”, tha ai.

Ljubisha Mitroviç nga kompania “Euro Test” tha se bashkëpunimi me kompaninë kosovare “Agrokosova Holding”, do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Gjatë këtij aktiviteti, janë vizituar edhe plantacionet me vreshta, ku u njohën për së afërmi me prodhimtarinë e tyre. /Telegrafi/