Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), sot ka nënshkruar një kredi prej 18 milionë eurosh për parkun energjetik me erë në Kitkë të Kamenicës.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, tha se sot është një ditë e rëndësishme për sektorin e energjisë veçanërisht për energjinë e ripërtritshme.

“Kjo mbështetje hap mundësinë edhe për financimin e projekteve tjera në të ardhmen”, tha Lluka.

Fjalë rasti kanë mbajtur edhe zyrtarë nga BERZH, Harry Boyd-Carpenter dhe Tarik Aygun nga grupacioni turk Guris.

Sipas zyrtarëve të BERZh-it, Kosova, e cila mbështetet në thëngjill për nevojat e veta energjetike, do të përfitojë nga energjia më e pastër dhe më e qëndrueshme nga parku i parë energjetik me erë në vend.

Mbështetja e BERZH-it për parkun me erë të Kitkës vijon pas angazhimit të suksesshëm me qeverinë e Kosovës për ta mbështetur më shumë energjinë e ripërtëritshme përmes sektorit bankar. /Telegrafi/