Në veri të Kosovës, janë vendosur pllakatet, kryesisht të Listës Serbe, njërës prej katër subjekteve politike serbe, të cilat më 6 tetor do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vendit.
Në Leposaviq mund të vërehen mbetjet e pllakateve të shqyera të Partisë së Serbëve të Kosovës, ndërkaq që asnjë lloj materiali zgjedhor i Partisë së Pavarur Liberale dhe koalicionit “Liria” nuk shihen.
Tubimet parazgjedhore në këtë pjesë të Kosovës i mban vetëm Lista Serbe, e cila është e vetmja që ka mbështetjen e plotë të Beogradit zyrtar për zgjedhjet që pritet të mbahen në Kosovë.
Fushata parazgjedhore në veri të Kosovës, sipas vlerësimeve të vëzhguesve dhe qytetarëve, kryesisht është e qetë dhe identifikohet vetëm me aktivitetet e Listës Serbe. Megjithatë, ditë më parë, subjektet politike serbe kanë shkëmbyer akuza të ndërsjella për shantazh ndaj votuesve dhe se ndaj tyre po bëhet presion.
Dushan Radakoviq nga Rrjeti i organizatave joqeveritare për mbikëqyrjen e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim”, thotë ka qenë e pritshme që fushata parazgjedhore në veri të mos jetë shumë e trazuar, por në kufijtë e korrektësisë teknike dhe aktiviteteve politike, në formën e konventave, tablove, panove dhe pllakateve.
Ai konsideron që ekziston hapësirë për fushatë të lirë, por që aktivitetet e subjekteve tjera politike serbe janë më të pakta, para së gjithash për shkak se subjektet politike si Partia e Pavarur Liberale dhe koalicioni “Liria”, në listat e tyre nuk kanë kandidatë nga veriu.
“Unë mendoj që fushatën në veri nuk e kanë aq prioritet, në krahasim me Listën Serbe. Partia e Serbëve të Kosovës (me seli në Leposaviq) vetëm sa ka filluar fushatën me vendosjen e panove. Kemi pasur disa probleme me shqyerjen e pllakateve, por mendoj që prioritetet e Partisë së Pavarur Liberale dhe të koalicionit ‘Liria’ nuk janë në veri. Mendoj që presoni shumë më i madh bëhet ndaj votuesve në Kosovën qendrore, në raport me veriun e Kosovës”, theksoi Radakoviq.
Partia e Serbëve të Kosovës, të dielën ka deklaruar që “është shkaktuar një incident i vogël”, duke i akuzuar aktivistët e Listës Serbe për shqyerjen e pllakateve, ndërkaq që ngjarja është lajmëruar në stacionin e policisë në Leposaviq.
Marrë parasysh akuzat e ndërsjella të subjekteve politike serbe për presion mbi votuesit, Radakoviq thotë që bëhet fjalë për thashetheme, por që në rast se ato ekzistojnë, atëherë është punë e Prokurorisë së Kosovës.
“Në gjithë këtë situatë ka mjaft thashetheme të ndryshme. Secila parti flet mirë për anën e vet, por konkretisht nëse ka gjëra të tilla, janë përgjegjësi e Prokurorisë. Kështu që, kushdo që ka ose konsideron që ka presion, ekzistojnë prokuroritë e autorizuara ku mund të lajmërohet rasti. Të gjitha të tjerat, sa më përket mua, janë thashetheme nga të gjitha anët në mënyrë që të përvetësojnë numër sa më të madh të votuesve”, u shpreh Radakoviq.
Nga Prokuroria në Mitrovicën Veriore kanë konfirmuar që nuk ka pasur raste të denoncuara gjatë fushatës.
Ndërkaq, qytetarët e Mitrovicës Veriore kanë mendime të ndryshme lidhur me atmosferën në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
“Mendoj që populli e do Serbinë tonë dhe e do presidentin dhe pushtetin tonë. Mendoj që populli ynë e di se cila është rruga dhe perspektiva jonë e vetme, ndërkaq se çfarë ndodh në prapaskena, nuk i kontaktoj me aq shumë njerëzit dhe jam jashtë atyre margjinave. Shpeshherë nuk ndodhem as këtu, prandaj nuk mund të jap ndonjë shprehje të vërtetë”, tha Slavica Popoviq nga Mitrovica Veriore.
Jovanka Nastiq, po ashtu nga kjo komunë, shpreh mendimin se gjithçka po zhvillohet me rregull.
“Nuk ka ndonjë gjë për të cilën mund të them se është keq. Duket bukur, gjithçka funksionon normalisht dhe qytetarët sillen normalisht. Gjithçka është në rregull dhe deri më tash nuk kam vërejtur asnjë problem dhe as që është ankuar dikush. Qytetarët vendosin vet dhe e dinë se për kë do të votojnë”, tha Nastiq.
“Dua t’ju them se askush për asgjë nuk më thotë, jam i lirë dhe mund të votoj për kë të dua dhe nuk kam asnjë problem. Askush deri më tash nuk më ka thënë voto për këtë ose atë, por sërish ne do të votojmë për shtetin e Serbisë dhe bashkë me Serbinë”, tha Ljuba Miljkoviq.
Ndryshe, Mirosllavi nga Mitrovica Veriore konsideron që fushata parazgjedhore është e njëanshme.
“Ai që ka para ai edhe bën fushatë. Këto partitë më të varfra nuk kanë shanse që të bëjnë diçka. Afërsisht dihet se çfarë do të ndodhë”, tha Mirosllavi.
I pyetur se a ka presion ndaj votuesve, ai theksoi që diçka të tillë ka pasur gjithmonë.
“Në çdo proces zgjedhor edhe më herët ka pasur presione në kuptimin e shantazhit ‘nëse nuk voton atëherë nuk të jap këtë, nuk do të punosh’ e të tjera. Ka nga pak. Ka presion dhe është vështirë. Përvoja na tregon, në periudhat e mëhershme, që ushtarët e vetmuar e pësojnë. Ju e kuptoni se për çfarë po mendoj”, tha Mirosllav.
Liderët e subjekteve politike serbe, me të cilët Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar ditë më parë, kanë deklaruar që sjellja e pakulturuar, presionet, kërcënimet dhe shantazhet që njerëzit do të mbeten pa punë, po e përcjellin procesin zgjedhor në mjediset me shumicë serbe në Kosovë.
Lista Serbe, deri më tash, ka pasur 9 nga 10 vendet e deputetëve në Kuvendin e Kosovës, sa edhe janë të garantuara për deputetët e komunitetit serb. Gjithashtu, në krye të 10 komunave me shumicë serbe, janë përfaqësuesit e Listës Serbe. /rel/Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë"Zyrtarja e Policisë së Kosovës ende është duke u intervistuar nga policia serbe", flet pasagjeri i autobusit "Bici Com" që po mbahet në kufirin Serbi-Hungari
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës dërgohet në Rashkë, Qalaj: BIA serbe do t’i bëjë presion për informata sekrete
Para ndeshjes me Man Cityn, kamerat kapin një veprim befasues nga lojtarët e Real Madridit
“Vetëm një skuadër në Evropë është më e mirë se Bayern Munich” – legjenda e bavarezëve flet për Tuchel dhe ecurinë e klubit
Gundogan i pamëshirshëm për shokun e skuadrës, e lë fajtor për eliminimin e Barcelonës
Parashikimi i 'çmendur' i Jose Mourinhos për fundin e Ligës Premier po del i saktë
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Krijo hapësirën tënde të biznesit – zyre me qira te 4 Llulat – 300€/muaj ID-252
Më të lexuarat
Deputetët e shteteve që votuan kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE
Xavi e tepron me fjalët që ia ka thënë gjyqtarit pas eliminimit të Barcelonës nga Liga e Kampionëve
“Dashuria e madhe ndaj Edit ia mori jetën, vajzat e panë të gjakosur”, flet familjarja e gruas që u vra në Pejë nga bashkëshorti
Reagon më në fund Akil Gjakova
Parashikimi i 'çmendur' i Jose Mourinhos për fundin e Ligës Premier po del i saktë
Avokati serb ironizon me presidentët serbë, tregon ku ikën ata kur Kosova shpalli pavarësinë dhe sot kur u votua për anëtarësim në KiE