Në spitale e klinika të Kosovës po trajtohen 398 pacientë me COVID-19

Nëpër Spitalet e përgjithshme në komunat e Kosovës dhe në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës janë duke u trajtuar gjithsej 593 pacientë, prej të cilëve 398 janë të konfirmuar me COVID-19.
Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës ka njoftuar se nga këta pacientë, 15 janë në trajtim me respirator, 24 me metodën CPAP dhe 365 me oksigjen.
Në klinikat e QKUK-së, janë shtrirë gjithsej 256 pacientë, nga të cilët të konfirmuar me COVID-19 janë 214, ndërsa të konfirmuar negativ janë 17, ndërkaq edhe 25 pacientë të shtrirë janë ende të pakonfirmuar.
Nga të shtruarit në QKUK, në respiratorë janë 11 pacientë, me metodën CPAP janë 14 pacientë, ndërkaq me oksigjen po trajtohen 171 pacientë.
Numri i pacientëve të cilët janë të shtrirë nëpër spitalet e përgjithshme është 337, ndërkaq nga ky numër, të konfirmuar me COVID-19 janë 184, ndërkaq po trajtohen edhe 151 pacientë të pakonfirmuar me coronavirus.
Sipas njoftimit të SHSKUK-së, nga pacientët e shtruar nëpër spitale të përgjithshme, 4 janë duke u trajtuar në respirator, 10 me metodën CPAP, kurse me oksigjen po trajtohen 194 pacientë.
Ndryshe, gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 459 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren prej të cilëve rezultojnë 226 raste pozitive. Numri total i rasteve pozitive është 8.330 raste nga 36.509 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, me gjithsej 227 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 115 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 4.578 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.525. /Telegrafi/





















































