LAJMI I FUNDIT:

Në Sfeçël të Podujevës u shënua “Dita e Promovimit të Specit”

Në Sfeçël të Podujevës u shënua “Dita e Promovimit të Specit”

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka marrë pjesë në manifestimin “Dita e Promovimit të Specit” në Sfeçël të Podujevës, i cili u organizua nga programi i USAID-it Zhvillimi Bujqësor dhe Mundësitë Rurale (AGRO) dhe kompania “Albini” në Sfeçël.

Në këtë manifestim, sipas një njoftimi të kësaj komune, përveç kryetarit Veliu, ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi i USAID-it, Mark Wood, drejtori i Drejtorisë për Bujqësi Pylltari dhe Zhvillim Rural, Avni Fetahu dhe përfaqësues të tjerë të USAID-it dhe fermerë.


“Kultivimi i specit në fshatin Sfeçël ka një traditë të gjatë. Prandaj më vjen mirë që me përkrahjen e programit të USAID-it keni hyrë në prodhim më të avancuar, duke përdorur metodat më të avancuara shkencore dhe teknologjike për mbjellje dhe kultivimin e kësaj kulture. Komuna do të vazhdojë të përkrahë dhe subvencionojë fermerët e komunës sonë, në kultivimin edhe të kulturave të tjera bujqësore”, ka thënë kryetari Veliu.

Ai gjithashtu ka përgëzuar pronarin e kompanisë “Albini” për sukseset e arritura në kultivimin, grumbullimin dhe ruajtjen e perimeve. Kryetari Veliu ka falënderuar edhe USAID-in për bashkëpunimin me Komunën dhe përkrahjen e vazhdueshme të fermerëve llapjanë.

E përfaqësuesi i USAID-it, Mark Wood, ka thënë se programi Zhvillimi Bujqësor dhe Mundësitë Rurale i USAID-it do të vazhdojë përkrahjen për fermerët llapjanë dhe bashkëpunimin me Komunën.

“Falënderoj edhe Komunën për mbështetjen që po i jep sektorit të bujqësisë me subvencionimin e fermerëve”, ka thënë Wood.

Ndërkaq pronari i kompanisë “Albini” për grumbullimin dhe ruajtjen e perimeve, Bekim Vokrri përfitues nga programi i USAID-it, tha se do të vazhdojë me avancimin e teknologjisë në kultivimin e specit.

Me rastin e shënimit të Ditës së Promovimit të Specit, kompania “Albini” prezantoi edhe dy pajisje të avancuara për mbjelljen e specit, të përfituara nga programi Zhvillimi Bujqësor dhe Mundësitë Rurale i USAID-it. /Telegrafi/