LAJMI I FUNDIT:

Në Pazarin e Shtimes kërsitke dajaku gjumâ për gjumâ!

Në Pazarin e Shtimes kërsitke dajaku gjumâ për gjumâ!

Të premten e kisha pak mërzi me shkue në shkollë, sepse duhej te kalonim përmjedis Pazarit që fillonte nga trekandshi i Shtimes, ku zakonisht ishin të vendosur magargjitë e mbushur me dru dhe vazhdonte përgjatë lumit kah mahalla e Beqovitëve deri prapa urës së vogël ku fillonte kodra e Shkollës.

Zakonisht kjo pjesë ishte e mbushur me kerre plot me drujë te gjatë, traj, lanë apo huj patligjanash. Pjesa mes zyrës së vendit dhe urës se vogël ishte e mbushur me podrimqakë që shitshin rrushë e pjeshka nëpër koshe të thuruna me thupra, si dhe disa bahqegji që shisnin pemë e perime.

Të premten duhej të niseshim më herët se përndryshe vonoheshim në shkollë nga kallabllaku.


Mundeshim të shkonim edhe nga pjesa tjetër pas urës së madhe ku fillonte mahalla e Mulla Hysenëve, por andej ishte Pazari i Gjâve I mbushur me lloj-lloj gjamazi që bërtitshin në kupë të qiellit dhe bajshin be e rrfe se lopa që e shesin është plle dhe i qet pesë litra tambël.

Nuk kisha qef t’ia mbajë andej, sepse duhej të kalonim gjithashtu rreth varrezave dhe frigoheshim nga dhompirët që na i tregojshin shpesh nëpër përralla.

Sidoqoftë, ankthi më i madh i së premtes ishte kthimi nga shkolla në mesditë në pikën e Pazarit, sepse të gjitha ngatërresat ndodhnin në këtë kohē dhe shpesh përfundonin në rrahje me dru magari e deri në plagosje apo edhe vrasje për motive hakmarrje.

Si fēmijë na kishte rastisur të shohim shpesh skena të tilla makabre të premteve, në Pazarin e Shtimes, dhe të trishtuar iknim në shtëpi. Nuk e harroj kurrë një rrahje me dru magari mes një petrovalie dhe njëfar Rrahmanit, burrë me mustaqe mu në trekandshin e Shtimes. Petrovalia e stupcoi pa mëshirë Rrahmanin dhe mos ta ndalshin ke kah e mbytë krejt.

Kjo rrahje u perfolë shumë dhe gjatë në provincën tonë, bile edhe bëhej hajgare me Rrahmanin. Thojshin se Rrahmani edhe i ka ble drutë e veta edhe ka hangër dru magari.

I kisha vetēm dhjetë vjet dhe nuk e kuptoja këtë histori dhe e pyeta axhën Vehbi, ndjesë pastë, çka I bjen kjo punë. Axha më tregoi se rrahja kishte ndodhe kur Rrahmani e kishte ble një magarë dru nga petrovalia, por dikush i paska thanë pastaj atij:

“Qysh bre Rrahman i bleve drutë e tua”?

“Qysh drutë e mia?!”, ia kthen habitshem Rrahmani.

“Po me dy sytë e mi e kam pa petrovalinë që i ka pre drutë në zabel tandin, e ti ja bleve me pare drutë e tua”!

Rrahmani ish kan mërdheze keq prej inatit dhe vrap kish shkue në Pazar, e kish gjetë petrovalinë dhe e kish pas sha me nanë e me babë. Petrovalia pa nja pa dy e nxjerr një dru nga një magar tjetër dhe e ban për spiral Rrahmanin.

Kjo rrahje është përfolë shumë në gjithë rrethinën e Shtimes dhe pat kalue në anekdotë bile. Thojshin: “Edhe me ta vjedhë zabelin, edhe me të rreh, edhe m’i dhanë pare atij që t’ka vjedhë e t’ka rreh, duhet me pasë emnin Rrahman”.

Shpesh më ka ra ndermend kjo histori dhe ngjarjet që pasuan nëpër vite lejnë të kuptojnë se shumë nga ne sikur Rrahmani e kemi hangër dajakun, jemi vjedhë dhe kemi pague pare atyne që na kanë rrehë.