Në videon e publikuar nga ushtria ukrainase shihet një situatë thuajse e pabesueshme ku ushtarët rusë sulmojnë pozicionet mbrojtëse duke hipur mbi kuaj.

Ushtarët e Forcave të Armatosura të Ukrainës nga Batalioni i 5-të i Sulmit, Brigada e Pavarur e Sulmit 92, kanë identifikuar një grup ushtarësh rusë që po lëviznin drejt pozicioneve të tyre mbi kuaj, dhe kanë publikuar videon me një koment në faqen e Facebookut të Brigadës 92.


“Okupatorët rusë po humbin pajisjet kaq shpejt gjatë ‘sulmeve të tyre masive’ saqë janë të detyruar të lëvizin mbi kuaj. Por as kjo nuk u ndihmon, operatorët e dronëve të Batalionit të 5-të të Sulmit të Brigadës së Pavarur të Sulmit 92 ‘neutralizojnë’ armikun sapo e vërejnë,” thuhet në deklaratë.

Me pozicionet ukrainase të mbrojtura nga dronët, kalorësit humbën jetën gjatë sulmit të tyre.

“Sulm mbi pozicionet tona me kuaj. Kjo është e çmendur! Mendova se ishte shaka dhe një tjetër eksperimente me AI, por jo, në grupin e mbyllur të pilotëve kjo po diskutohet dhe konfirmohet. Më vjen keq për kuajt. Definitivisht”, shkroi Mikola Voroshnov, pjesëtar i ushtrisë ukrainase dhe aktivist qytetar.

Si kujtesë, më parë u bë e ditur se, për shkak të mungesës së pajisjeve, trupat tokësore ruse përdorin gomarë për transport dhe logjistikë. /Telegrafi/