LAJMI I FUNDIT:

Në lëvizje…

Në lëvizje…
Olga Tokarczuk (foto: Jacek Kołodziejski)

Olga Tokarczuk është shkrimtare polake, shumë e njohur. Romani i saj “Fluturimet”, fitoi Çmimin “Man Booker International 2018”. Tashmë ka marrë edhe çmimin Nobel për Letërsi të vitit 2018[1] Folëm me të, rreth të qenit shkrimtare e Evropës Qendrore, situatën aktuale politike në Poloni dhe reagimet kundër librit të saj të fundit.

Intervistoi: Theodora Danek
Përktheu nga anglishtja: Alban Tufa


A ka rol letërsia në përcaktimin e politikës ose a ka kontribut në aktivizëm? Apo letërsia është vetëm art dhe përjashtohet nga këto sfera?

Nëse luan një rol, do thoja që nuk do ishte i vetëdijshëm. Nëse një shkrimtar shkruan një roman vetëm për aktivizëm, nuk do ishte art i mirë. Duhet ta dini që unë u rrita nën komunizëm dhe nën një propagandë shumë të fortë. E di se si funksionon propaganda (?) – ajo mund të thithë tërë energjinë artistike nga një libër, një pikturë, etj.

A ndjeheni sikur po punoni nën propagandë këto kohë?

Propaganda është me e fortë ditët e sotme në Poloni. Nuk mund ta mbaj mend një propagandë kaq të fortë as në fëmijërinë time nën komunizëm. Kjo tani, është shumë më e fortë dhe shumë më e sofistikuar, duke shfrytëzuar fuqinë e internetit dhe lajmet e rreme. Qeveria jonë dëshiron të krijojë një makinë propagande. Ata duan ta kontrollojnë dhe ta përcaktojnë historinë, ta rishkruajnë kujtesën për të shkuarën tonë, duke eliminuar çdo anë të errët. Në këtë kohë që po jetojmë në Poloni, roli i shkrimtarit është shumë i veçantë. Ne duhet të jemi njerëz të ndershëm dhe të denjë, të shkruajmë për botën në mënyrë të duhur.

Libri juaj i fundit, “Librat e Jakobit”, a reflekton mitin njëgjuhësh, monoetnik që po ndërtohet tani në Poloni?

Unë mendoj se tema e librit – një Poloni multikulturore – nuk është e përshtatshme për përkrahësit e versionit të ri të historisë. Libri nuk u pranua. Nuk përshtatet me narrativën e re. Për mua është interesante që luftërat bashkëkohore nuk zhvillohen më në llogore ose me armë, por me fjalë dhe rrëfime. Gjithashtu mund ta vërejmë këtë me Rusinë dhe Putinin. Pyetja është se kush mund ta rrëfejë më mirë historinë.

Një aspekt interesant në punën tuaj kundrejt qeverisë aktuale polake është pikëpyetja se kush është mbrojtës i historisë dhe se kush do ta përkufizojë atë ç’ka është histori.

Në rastin e “Librat të Jakobit” ishte një çështje e brishtë e identitetit kolektiv. Narrativa e re është që ne duhet ta kuptojmë veten në terma kombëtar. E dimë se kjo është anakronike sepse mund të ndiejmë që koncepti i “kombit” është pak i kalbur. Nuk ka fuqinë për të përshkruar identitetin bashkëkohor të njerëzve që jetojnë në botë. Ne duhet të kërkojmë ide të tjera për të na përshkruar si kolektiv, si grup, si shoqëri. Por njerëzit përsëri kthehen në këtë ide mbi kombin. Sigurisht që Polonia është në mes të Evropës, dhe ne jemi në pllajë dhe gjithmonë kemi qenë një vend ​​ku kalonin ushtritë. E humbëm identitetin tonë shtetëror prej nënndarjeve, etj. Nuk mund të presësh që asgjë të jetë “etnisht polake” – ide e cila është shumë e rrezikshme.

Është kjo mënyra se si njerëzit janë bërë pjësë histori pa qenë?

Po – dhe të mendosh për gjak, në Evropën Qendrore, është çmenduri. Libri im tregon se Polonia po negocionte energji midis kaq shumë kombeve dhe kulturave, përfshirë kulturën myslimane sepse ajo ndau një kufi me Perandorinë Osmane. Heronjtë e mi në libër janë hebrenj, ata ndryshojnë identitetin dhe fenë e tyre dhe bëhen polakë. Libri tregon gjurmët e vjetra të shumë traditave kulturore polake, si mesianizmi polak[2]. Na shfaq ne si një tenxhere shkrirëse në mes të Evropës. Është kaq e thjeshtë, kaq e vërtetë.

“Fluturimet” sapo janë përkthyer në anglisht. Njerëzit thonë që libri ka të bëjë me psikikën moderne, mos qenit në gjendje të qetësohesh, ngaqë jemi gjithnjë në lëvizje. A mund të thuhet se ideja e të qeni gjithmonë në lëvizje është temë e të gjitha shkrimeve tuaja?

Po. Kam shkruar një roman, “Shtëpia e Ditës, Shtëpia e Natës”, i cili është një lloj himni për zgjidhjen. Personazhi kryesor, heroina, blen një shtëpi dhe në qendër të librit është një këngë për mrekullinë e të qenit në një vend, të lëshuarit rrënjë. Por mendoj se e shkrova këtë libër si të isha në ëndërr: e imagjinoj si diçka të bukur, por edhe të dhimbshme. Mendoj se lëvizja, mosqëndrimi, është gjithmonë fiksimi im, temë e imja. Edhe romani im debutues kishte “Udhëtimin” në titull.

Ju e përshkruani veten në të shkuarën si shkrimtare i Evropës Qendrore dhe organizoni një festival në Silesia, po në Evropën Qendrore. Çfarë është për ju të qenit shkrimtare e Evropës Qendrore? Është vend? Apo është ide?

Ende s’e kam shterruar këtë ide, por megjithatë kam disa shkëndija intuitive për të. Unë mendoj se letërsia në Evropën Qendrore luajti një rol të ndryshëm në histori kundrejt asaj të Perëndimit. Për shembull, në Evropën Perëndimore letërsia ishte më shumë argëtuese për kohën e lirë, për klasën e mesme që të zgjeronin përvojat e jetëve të tyre.

E para gjë, është që letërsia luajti rolin e një arme. Le të themi se ajo stabilizoi identitetin e njerëzve në Ndarjet e Polonisë dhe ndihmoi në mbajtjen e një gjuhe. Letërsia gjithmonë kishte një detyrë. Ishte gjithnjë politike, e përfshirë në gjëra politike.

E dyta, është se ne nuk kemi pasur një klasë të mesme për shumë gjatë. Përpara ndarjes, Polonia kishte probleme ekonomike, dhe klasa e mesme fliste gjuhë të tjera – gjermanisht dhe rusisht – këto ishin pjesë e shoqërive të tjera. Nëse nuk ka një klasë të mesme nuk do të ketë as lexues! Nëse ka miliona njerëz analfabetë, nuk ka treg librash. Në Poloni poezia ishte shumë e përhapur. Kemi dy fitues të Nobelit në poezi. Poezia ishte mjeti, kanali për të shpjeguar se çfarë jemi,  se çfarë është bota. Poezia është më e lehtë për t’u mësuar nga zemra, mund të jesh në skenë, mund ta recitosh atë. Romani u la pas dore.

Nga ana tjetër, në Poloni ekziston një model romani që është i përfshirë historikisht, por këto libra janë shkruar për të dhënë zemër. Ata e rrëfyen historinë polake si të guximshme dhe heroike, si shpirt-ndërtues. Misioni i tyre ishte të krijonin një përrallë të bukur. Siç e shihni, letërsi, ka role të ndryshme. Shpesh në Perëndi më kanë pyetur: Pse ju nga Evropa Qendrore shkruani libra të tillë eksperimentues? Unë mendoj se kemi ndjenja të ndryshme mbi realitetin. Realiteti ynë nuk është i qëndrueshëm siç është këtu, në një ishull të Mbretërisë së Bashkuar. Gjithçka është e njëjtë, gjatë gjithë kohës, ndërtesat e vjetra, kafene të vjetra. Ju jeni bërë njësh me traditat – për shembull, rrobat e të nxehtit dhe të të ftohtit. Nëse ke një kryeqytet si Varshava, i cili u shkatërrua plotësisht gjatë luftës, atëherë në letërsi mund të bësh gjithë ç’dëshiron, sepse gjithçka është e ndryshueshme, e rrjedhshme. Kjo ndjenjë e rrjedhshmërisë së realitetit është shumë e fortë.

Ne nuk ia kemi besën idesë së rrëfimit të një historie nga fillimi në fund sipas një mënyrë klasike, sepse thjesht nuk është e vërtetë. Asgjë nuk ndodh në këtë mënyrë të bukur, lineare.

Të rrëfesh një histori,  të kuptosh një histori është njësoj si të ngarendësh rrotull, me plot e përplot kthesa paradoksale. Ndoshta kjo ka ndikim te forma.

Ajo (letërsia) gjithashtu e pasqyron më mirë historinë, sepse ideja që historia është vetëm një narracion linear është natyrisht veç projeksion. A mendoni se ndryshimi mes letërsisë së Evropës Qendrore dhe gjithë letërsisë tjetër është fakti që nuk është e shkruar domosdoshmërisht me qëllim argëtimi, dhe se është shkruar me një qëllim moral, me qëllim analizimin e të metave të shoqërisë?

Po, sigurisht për letërsinë austriake kjo është e vërtetë. Është e dhimbshme, si ndjenja e shpimit të një vrime në trup. Kjo ndoshta është edhe për shkak të psikanalizës, zanafillat e së cilës janë në Evropën Qendrore. Nëse mund të flitet për letërsinë e Evropës Qendrore, ajo është shumë më e thellë dhe më e zezë, duke hedhur dritë mbi anën e errët të njerëzimit. Mendoj se trashëgimia hebreje e letërsisë së Evropës Qendrore është një aspekt tjetër i rëndësishëm. Ishte shumë prezente në shoqërinë tonë, në kulturat tona. Kujtoni mesianizmin polak[3], të marrë si ide romantike polake për të krijuar identitetin polak, i cili është mjaft paradoksal: si të mund të merret një ide hebreje për të ndërtuar identitetin polak dhe për të përjashtuar hebrenjtë. Prania e hebrenjve ishte shumë e frytshme.

Një pyetje e fundit: Ne kemi folur aq shumë për rrjedhshmërinë e kufijve. Si mund të përcaktohet një shkrimtar polak? A ka ndonnjë ide se cili shkrimtar ka më shumë rëndësi në përkufzimin e kombit, apo ky koncept mbetet i metë sepse kombet janë veç konstruksion?

Jam thellësisht e bindur që letërsia nuk ka kufij. Ekziston një letërsi, dhe përdor gjuhë të ndryshme si mjetet të saj. Kjo është arsyeja pse përkthyesit janë kaq të rëndësishëm. Ata janë si lidhje të brishta midis gjuhëve, duke na kujtuar se letërsia është një. Nganjëherë kur lexoj ndonjë libër nga Kina mund të njoh diçka që është shumë personale dhe më ngjet. Për mua kjo është mrekulli. Është diçka në pavetëdijen tonë të përbashkët që krijon letërsi. Unë jam një shkrimtare polake për nga gjuha dhe kultura, por e trajtoj veten si shkrimtare universale.

*Intevista u u publikua në pentransmissions.com
[1] Intervista është realizuar para se shkrimtares t’i jepet çmimi Nobel.
[2] Mesianizmi polak është thjesht realizim i krishterimit jo vetëm në jetën individuale, por edhe në jetën kolektive, në realitetin shoqëror, politik, ekonomik dhe ndërkombëtar. Më vonë, ky term u popullarizua nga poeti më i madh polak Adam Mickiewicz, në ligjëratat e tij në Collège de France, në Paris. Përfaqësuesi i fundit i asaj lëvizjeje ishte, Gjon Pali II. Një numër i madh idesh dhe qëndrimesh të tjera kanë të bëjnë me nocionin e Mesianizmit, por kjo është absolutisht më e rëndësishmja.