Nga: Gëzim Tushi
Kaluan vite pa profesorin e nderuar, Bedri Dedja (20 nëntor 1930 – 13 prill 2014). Vite të vakumit që kanë ndjerë të afërmit për të dashurin e tyre të shtrenjtë, profesorët e psikologjisë dhe të pedagogjisë për kolegun e tyre, miqtë për mikun e nderuar. Vite që heshti pena, fjala e pedagogut, psikologut, akademikut dhe shkrimtarit të shquar për fëmijë, profesor Bedri Dedja.
Padyshim që ai ka lënë pas vetes një vepër të madhe, të shquar, e cila nuk lejon të harrohet emri i burrit të mençur, njeriut të mirë dhe punëtor, modest dhe i duruar, i dashur me kolegët dhe i respektuar nga studentët e shumtë që kanë përfituar nga kapitali intelektual i tij. Unë jam një nga ata mijëra studentë dhe miq të shumtë të profesorit që ka kudo në Shqipëri, madje edhe jashtë atdheut.
Profesor Bedriu është një nga figurat e shquara, polivalente të arsimit, kulturës, shkencës dhe letërsisë shqiptare. Me kontribut të veçantë si krijues dhe po aq të evidentuara edhe si pedagog. Kush e ka pasur fatin e lumtur të ketë zhvilluar cikle leksionesh me të në fushat e historisë së arsimit dhe pedagogjisë, të psikologjisë sociale, është i bindur për vlerat e tij.
Tek profesor Bedriu ishin bashkuar në një, në personalitetin e tij të shumanshëm, njeriu i mirë dhe intelektuali popullor, masoviku i papërtuar dhe i lidhur me njerëzit e thjeshtë, akademiku me kulturë sqimatare, mendimtari erudit dhe lektori elokuent, shkencëtari i skutave më të errëta të strukturës psikike të njeriut, mësuesi dhe edukatori i fëmijëve, librat e të cilit ata i kanë përpirë. Në fushën e dijes profesionale, profesori ishte burri që dominonte çdo sallë universiteti, me autoritet të padiskutueshëm. Ky autoritet i shumëfishuar i tij, spikaste kudo ku dëgjohej fjala e tij. Kur ai thoshte “unë mendoj”, me të vërtetë ashtu ishte; ai fliste me mendimin e tij të pavarur.
Kultura e tij e gjerë poliedrike ishte rezultat i një pune skrupuloze, sistematike, e cila filloi që kur u ul në bankën e shkollës si nxënës dhe deri sa mbylli sytë. Gjithë jetën në libër, pranë librave, penës, fjalës dhe miqve. Kaq shumë kulturë kishte, saqë ishte një nga njerëzit tek i cili personaliteti i tij autoritar dhe kultura, ishin bërë një dhe të pandarë. Ishte vështirë të dalloje tek profesor Bedri Dedja, se ku fillonte kultura e akumuluar nga të tjerët, dhe ku fillonte kultura që buronte prej personalitetit të tij. E gjithë qenia e tij rrezatonte kulturë.
Kam pasur fatin e lumtur të kem qenë dy herë studenti i tij: njëherë në Fakultetin e Shkencave Politike e Juridike dhe herën e fundit si student pasuniversitar për psikologji dhe pedagogji. Në të dyja rastet, ai ka zhvilluar lëndën e psikologjisë sociale. Edhe sot i kam shënimet e leksioneve të tij. I kam në kujtesë konceptet e qarta, të thella, të plota të profesorit për këtë shkencë të rëndësishme të shoqërisë. Megjithëse kanë kaluar afro 30 vjet nga kjo kohë dhe kam lexuar shumë libra të tjerë në këtë fushë, kam dëgjuar shumë lektorë të tjerë, brenda dhe jashtë vendit, dhe të them të vërtetën, pa e tepruar, më ka pëlqyer më shumë thjeshtësia e mendimit, “aparati pedagogjik” perfekt, gjuha e saktë e bukur plot timbër dhe elokuencë, me të cilën profesor Bedriu dinte të transmetonte idetë shkencore të psikologjisë sociale.
Megjithëse kohë e vështirë për shkenca të tilla, në Shqipërinë e kohës së komunizmit, mund të them se tek ai dominonte verbi i personalitetit si shkencëtar dhe qëndrimi objektivist, duke shfrytëzuar maksimalen e tolerancës që lejonte regjimi i kaluar. Prej tij mësuam konceptet bazë dhe ligjet e kësaj shkence, që atëherë nuk kishin atë vlerë që kanë sot, në kushtet e lirisë e të fenomeneve masive, sociale, që burojnë nga bashkimi i lirisë politike me të drejtat e njeriut.
Nuk e di se cili ka qenë fati i leksioneve të tij në fushën e psikologjisë sociale. Por, sipas gjykimit tim, ai është njeriu që vuri gurin e pare dhe e strukturoi atë si shkencë të veçantë në Shqipëri.
Por, Bedri Dedja nuk ishte vetëm shkencëtar, letrar dhe akademik; ai njëherësh ka qenë qytetar me vlera dhe i spikatur.
Rastësisht, para dy ditësh isha për një vizitë miqësore tek profesor Hamit Beqja, miku e kolegu i përjetshëm i profesor Bedriut, dhe biseduam bashkë për të. Profesor Hamiti më solli në mëndje pikërisht këtë tipar të tij, përveç dimensionin si shkencëtar.
Dhe vërtet ai ishte njeriu me dinjitet, i fortë përballë dallgëve, burrëror dhe konstant në vlerat si qytetar. Tek Ai ishin bashkuar bukur dimensioni i shkencëtarit me qytetarin, pa asnjë sforcim. Kjo ka qenë mbase vlera më e madhe e Tij si njeri i dijes, i inteligjencës, i popullit.
Prandaj, sa më shumë do të largohemi në kohë prej tij, aq më afër do të jemi me të, me veprën e tij të mrekullueshme. Unë jam i bindur se ky njeri, sa më shumë kohë do të kalojë, aq më shumë do t’i vlerësohet vepra e tij.
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumëParaqitja e tmerrshme e Mbretëreshës së ndjerë flet për fundin e epokës së statujave
“Liria e së nesërmes”: A e njeh ky njeri rrugën e paqes mes Izraelit dhe Palestinës?
INTIME
Mbijetesa e poezisë
Karnavalet, origjina dhe domethënia
Historia e shqiptarëve në Bukuresht
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Krijo hapësirën tënde të biznesit – zyre me qira te 4 Llulat – 300€/muaj ID-252
Më të lexuarat
John Terry zbulon historinë e patreguar se si ai udhëhoqi kryengritjen te Chelsea ndaj një trajneri
"Vuçiq e mendonte Slloveninë Eldorado serbe, kurse diplomatët e saj vegla të tij", ish-diplomatë serbë flasin për skandalin e fundit të Vuçiqit
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani
Pasuria e guvernatorit të BQK-së, drejtorit ATK-së dhe drejtorit të Doganës
“Veç me ia ba një vendbanim në gjykatë”, ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës del para gjykatës me 24 aktakuza për korrupsion
Klopp e donte lojtarin që sot luan për Liverpoolin, por bordi kërkonte një tjetër - si nisi mosmarrëveshja mes tyre