Në kuadër të manifestimit tradicional “Flaka e Janarit”, Komuna e Kamenicës organizoi aktivitetin simbolik të ndezjes së flakadanëve, në nderim të heronjve të kombit.

Në ceremoni mori pjesë Drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Behar Hyseni, i cili së bashku me zyrtarë të drejtorisë dhe qytetarë ndezën flakadanët që simbolizojnë sakrificën dhe qëndresën e heronjve të Kamenicës.


Drejtori Hyseni përkujtoi natën e 11–12 janarit të vitit 1984, kur heronjtë Nuhi Berisha dhe Rexhep Mala ranë gjatë përleshjes me forcat policore serbe në Kodrën e Trimave në Prishtinë.

“Nata mes 11–12 janarit na rikthen në kujtesë guximin dhe sakrificën e heronjve të Kamenicës, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, si dhe veprimtarin dhe patriotin e madh Kadri Zeka. Pikërisht në këtë natë, Nuhi Berisha dhe Rexhep Mala ranë heroikisht. Me ndezjen simbolike të flakadanëve, ne i nderojmë Rexhep Malën, Nuhi Berishën dhe Kadri Zekën, jo vetëm si heronj të Kamenicës, por si shtylla të një kombi që jeton sepse dikush zgjodhi të mos jetojë i përulur. Ata janë krenari e mbarë kombit shqiptar, dëshmi se sakrifica nuk shuhet, por shndërrohet në kujtesë, e kujtesa në udhërrëfyes”, tha Hyseni.

Aktiviteti u zhvillua në një atmosferë përkujtimore, duke përcjellë mesazhin e respektit dhe mirënjohjes së përhershme ndaj atyre që sakrifikuan për lirinë dhe dinjitetin kombëtar. /Telegrafi/