eksperti ad

Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore Koce Trajanovski, sot njoftoi se ndërtimi i pjesë së dytë të autostradës Shkup-Bllacë do të fillojë në muajin gusht dhe do të zgjasë rreth katër vite.

Ai tha se projekti financohet me grant prej 30.8 milionë euro dhe një hua prej 167.6 milionë euro. Trajanovski njoftoi se segmenti i ri do të jetë 10.5 kilometra i gjatë dhe së bashku me 1.5 kilometrat e ndërtuar më herët, autostrada deri në kufi do të arrijë 12 kilometra.


“Granti është 30,8 milionë euro, ndërsa kredia (huaja) është 167,6 milionë euro. Gjatësia e kësaj autostrade është 10,5 kilometra. Më parë janë ndërtuar 1,5 kilometra, kështu që gjatësia totale nga nyja Stenkovec pranë Shkupit deri te kufiri është 12 kilometra. Këto 10,5 kilometra, që janë objekt i huasë së sotme, do të kenë në të dy drejtimet nga dy korsi me gjerësi 3,5 metra dhe një shirit anësor prej 2,5 metrash. Gjerësia totale e rrugës do të jetë 27 metra".

Terreni është kodrinor dhe malor dhe është pjesë e masivit të Malit të Zi të Shkupit. Ky është një terren jashtëzakonisht i vështirë për ndërtim. Prandaj, projekti parashikon 5 tunele me dy gypa, me gjatësi totale të tuneleve prej rreth 5 kilometra, 9 ura me një gjatësi prej 2,5 kilometrash, 11 mbikalime, 4 galeri për stabilizimin e pjerrësisë, secila me gjatësi 1 kilometër, si dhe 9 mure mbajtëse, të cilat gjithashtu janë për stabilizimin e pjerrësisë".

"Presim që ndërtimi të fillojë në gusht të këtij viti. Sipas kontratës, periudha e ndërtimit është afërsisht 4 vjet. Është zgjedhur konsulenti, është zgjedhur kontraktori, ndërsa mbikëqyrja është në fazën e vlerësimit dhe presim që të zgjidhet së shpejti”, tha Koce Trajanovski, drejtor i Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore.