Në Fushë Kosovë, banorët ankohen për gjendjen e mbeturinave pranë shkollës “Mihail Grameno”

Nëpër shumë qytete të Kosovës, situata për menaxhimin e mbeturinave po vazhdon të jetë një nga problemet më të mëdha.
Një lexues i Telegrafit ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me gjendjen e rënduar të mbeturinave në një zonë të Fushë Kosovës, e cila menaxhohet nga KRM “Pastrimi”.

Sipas tij, situata paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për nxënësit dhe banorët e lagjes.
Ankesa ka të bëjë me hapësirën afër shkollës fillore “Mihail Grameno”, në aneksin 1.
Sipas banorëve, mbeturinat grumbullohen në mënyrë të pakontrolluar, duke krijuar shqetësime të vazhdueshme higjienike dhe mjedisore.

“Shikoni ku na jetojnë fëmijët. Ne paguajmë çdo muaj për pastrim, por gjendja vetëm përkeqësohet. Jemi të brengosur mos po na sëmuren fëmijët”, na shkruan lexuesi, i cili kërkon nga institucionet përgjegjëse ndërhyrje të menjëhershme.
Banorët apelojnë që KRM “Pastrimi” dhe komuna të marrin masa urgjente për pastrimin e zonës dhe vendosjen e një sistemi të rregullt menaxhimi të mbeturinave, në mënyrë që të shmangen rreziqet për shëndetin publik dhe mjedisin. /Telegrafi/

















































